Jagxhillar: Pagat dhe organizimi i administratës publike, sfida për 2018-n
Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, në një konferencë për gazetarë ka folur për punët e kryera gjatë vitit që shkoi si dhe për objektivat e kësaj ministrie për vitin 2018.
“Ndër sfidat kryesore që na presin gjatë vitit 2018 është aprovimi i pakos legjislative për reformën e shërbimit civil dhe publik”, ka thënë Jagxhillar, duke shtuar se kjo pako përfshinë tri ligje. “Ligji për pagat, Ligji për organizimin e administratës publike, si dhe Ligji për pagat nga buxheti i Kosovës”, ka sqaruar ai.
Jagxhillar ka theksuar se në aspektin e sfidave legjislative janë zotuar ta procedojnë edhe Ligjin për Konteste Administrative.
“Krahas kësaj ne duhet ta rishikojmë mandatin dhe numrin e agjencive shtetërore me qëllim që t’i shikojmë mundësitë e reduktimit të tyre dhe integrimit në institucionet e tjera”, ka thënë Jagxhillar.
Sipas ministrit Jagxhillar, 2017-ta ka qenë vit i të arriturave në Ministrinë e Administratës Publike (MAP). “Ministria ka qenë dhe duhet të jetë shembull i reformave si për qeverisje të mirë, po ashtu edhe për përdorimin e teknologjisë”, ka thënë ai.