Jagxhillari: Do ta standardizojmë Kosovën me administratat e tjera evropiane
Për nderë të 23 qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Civil, Ministria e Administratës Publike, ka organizuar shënimin e kësaj dite, e cila i dedikohet shërbimin civil në Republikën e Kosovës.
Këtë ceremoni rasti, e shpalli të hapur ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, i cili ka thënë se shënimi kësaj dite në Republikën e Kosovës ka një rëndësi të veçantë, sidomos në këtë vit kur Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kuvendi me propozim të Ministrisë së Administratës Publike, ka miratuar pakon ligjore për reformën në Administratës Publike, kërkesë kjo imediate edhe e Bashkimit Evropian.
“Ne jemi të vendosur të punojmë për ofrimin e shërbimeve të mira për qytetarët dhe bizneset në mënyrë që administrata publike të jetë sa më efikase, transparente dhe llogaridhënëse. Përmes reformave të reja, Ministria e Administratës Publike si përgjegjëse për politikat në Administratën Publike, e në veçanti në shërbimin civil, ka përzgjedhur prioritet që të standardizojë Kosovën me administratat tjera evropiane”, ka thënë Jagxhillar.
Ministri Jagxhillar ka folur edhe për Ligjin për zyrtarët publik, duke theksuar se ky ligj do të ofrojë një model të ri të rekrutimit. “Përmes këtij ligji dëshirojmë t’i ofrojmë administratës publike nëpunës bazuar në parimin e meritës, konkurrencës së hapur, testimit dhe vlerësimit elektronik, ndërsa qytetarëve transparencë dhe llogaridhënie të organeve përgjegjëse”, është shprehur ai.
Ministri Jagxhillar në këtë ceremoni ka folur edhe për ndryshimet dhe reformat në Ligjin për Organizimin e Administratës Shtetërore dhe Ligjin mbi Pagat.
“Një rendësi të veçantë, në kuadër të organizimit të administratës, padyshim paraqet edhe Racionalizimi i Administratës Publike/Agjencive ekzistuese, që përbën njërin ndër objektivat e përgjithshme më me rëndësi të parapara në strategjinë e modernizimit të administratës publike. Kjo është bërë bazuar edhe në të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, në të cilat theksohet se organizimi i përgjithshëm i administratës së shtetit nuk është në favor të funksionimit të sistemit të llogaridhënies. Nga ajo që u tha më, shihet qartë përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës në vendosjen e kornizës ligjore sa i përket organizimit të Administratës Publike, menaxhimit me burimet njerëzore, pagat dhe llogaridhënien”, ka thënë Jagxhillar.
Ai ka përmendur edhe raportin e përgatitur nga Departamenti i Administrimit të Shërbimit Civil.
Ai ka thënë se për vitin 2018 shihet se është bërë progres në reformimin e shërbimit civil dhe administratës publike për segmentet më të nevojshme, siç është hartimi i dokumenteve për politiken e re të shërbimit civil, hartimin e dokumenteve strategjike për ngritjen e kapaciteteve të nëpunësve civil dhe zbatimin e tyre.
Ministri Jagxhillar ka folur edhe për shtrirjen dhe përdorimin e mëtejme të Sistemit të Informatave për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, katalogun e vendeve të punës, përshkrimin e standardizuar për pozitat me shtrirje të përgjithshme dhe për procesin e klasifikimit të vendeve të punës si dhe vendosjen në SIMBNJ.
Në fund të kësaj ceremonie për shërbyesit civilë të dalluar janë ndarë 86 mirënjohje.
/Epoka e re/