Jahja Fusha, Shaban Shala, Xheladin Rekaliu dhe Bajrush Behrami – katër asetët e shqiptarisë në llap

30 gusht 2024 | 12:51

Behxhet Sh. SHALA- BAJGORA

Vlerat dhe veprat që nuk i nënshtrohen asnjë ndryshku: Sot, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës, Mal të Zi dhe trevat ku jetojnë shqiptarët kemi probleme të theksuara me identitetin kombëtar. Në këtë gjysëmliri, vlerat e mirëfillta kombëtare janë margjinalizuar, i janë nënshtruar harresës së imponuar nga politikanët pa kurriz kombëtar, me integritet të turbullt njerëzor dhe moral, me një të kaluar qartazi në kundërshtim me kombin që i takojnë, me një ndërgjegje dhe vetëdije të robit nga e kaluara, konformistë, manipulues, mashtrues dhe tregtarë flamujsh dhe të politikave. Për fatin e keq, ky farë soj sorrollapi është në pushtet, kryesisht. Prandaj vlerat kombëtare janë hedhur në fund të pusit kurse, mbi sipërfaqe ka zënë vend ndryshku nga e kaluara jugosllave dhe serbe. Si askund në botë, në Kosovë po imponohet një karikaturë “kombëtare” politike, populli kosovar, si dikur populli jugosllav. Si asnjëherë më parë, besimi apo feja po imponohen si kriter përcaktues të patriotizmit të dikujt apo mungesë të atdhedashurisë të tjetërkujt. Kosova është një vend i vogël, me tendencë të bëhet edhe më e vogël. Realisht, hapësira ku jetojnë shqiptarët është tkurrur shumë krahasuar me më parë. Edhe këto hapësira janë mbrojtur me shumë vuajtje, djersë, burgosje, tortura e deri me humbje jete. Kapaku i këtyre ishte lufta e lavdishme e së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës në me krye Komandantin Politik, Abetaren dhe Kuptimin e Luftës për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, Bacën Adem Demaçi dhe Komandantin Ushtarak, Legjendarin Adem Jashari. Çdo kohë dhe çdo rajon i Kosovës dhe tokave shqiptare i ka heronjtë e vet që i kanë mbijetuar të gjitha kohëve për shkak të veprave që i bënë dhe i kanë lënë si trashëgimi dhe udhërrëfyes në rrugën e gjatë drejt lirisë dhe bashkimit kombëtar. Liria dhe bashkimi kombëtar nuk janë vlera lokale apo rajonale por kanë shtrirje dhe karakter të përgjithshëm, universal apo planetar. Ndonëse kam lindur dhe rininë e hershme e kamë kaluar në Llap (Kunushec dhe Besianë), familja ime prejardhjen e ka nga Shala e Bajgorës përkatësisht nga fshati Kovaçicë. Duket se rrjedhim nga familja Istrefi. Përkundër kësaj, formësimin kombëtar dhe politik e kam nga Llapi përkatësisht nga Podujeva duke jetuar në një rreth me 99 për qind serbë ndërsa familja e Shaban Shalës – Bajgorës ishte e vetmja familje shqiptare në qendër të Besianës. E kishim shtëpinë përballë burgut ku çdo natë dëgjoheshin klithmat dhe bërtitmat e shqiptarëve të burgosur, qoftë në aksionin e grumbullimit të armëve, qoftë për shkak të aktivitetit politik dhe kombëtar. Ishte koha e kriminelëve Josip Broz Tito dhe Aleksandar Rankoviq. Si fëmijë dëgjonim për Adem Demaçin duke mos ditur se kush ishte ky. Besiana dhe Llapi kanë dhënë shumë patriotë dhe heronj të kombit, që e nderuan atdheun dhe kombin duke u shndërruar në yje të pashuara në qiellin ku liria ishte e pakufishme dhe e pakushtëzuar. Pas një rrugëtimi 70-vjeçar, nga e tëra kjo galaktikë e yjeve të lirisë, unë i dalloj katër yje që për aq kohë sa do të jetojë shqiptaria, asnjëherë nuk do të shuhen. Për dy prej tyre vetëm kam dëgjuar dhe kam lexuar ndërsa me dy të tjerë kisha nderin t’i njoh, si shokë, miq dhe bashkëveprimtarë. Po kush ishin asetët e shqiptarisë në Llap?
1. JAHJA FUSHA: Një intelektual me një shkollim dhe edukatë të veçantë, politikan i zoti, ushtarak dhe strateg i jashtëzakonshëm, aspak hezitues për sakrifikim të jetës për atdhe dhe komb, sportist dhe bukurosh, aristokrat me prejardhje dhe me sjellje, pishtar i fushalinjve dhe ndriçues i rrugës së shqiptarëve drejt lirisë dhe bashkimit kombëtar. I djathtë politikisht dhe 100 për qind i përcaktuar kombëtarisht. I lindur në janar të vitit 1919 dhe i rënë në altarin e lirisë në janar të vitit 1944. 25 vjet jetë të shndërruara në 250 milionë vjet të vlerave kombëtare. Si 24-vjeçar mori pjesë në Kuvendin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si delegat i Llapit duke mbrojtur qëndrimin që Llapi, Mitrovica, Vushtrria, Sjenica dhe Pazari i Ri t’i bashkohen Shqipërisë etnike. Pati rastin të largohet nga Kosova, bashkë me patriotin Emrush Miftari por qëndruan në mbrojtje të atdheut dhe kombit, deri në rënien heroike. Partizanët jugosllavë dhe shqiptarë ua zhdukën edhe eshtrat duke mos e lënë edhe një copë toke shqiptare për pelegrinazh për gjeneratat e ardhshme. Tash, e tërë toka ku jetojnë shqiptarët u shndërrua në vend prehje për Kolosin e çështjes Kombëtare, të pavdekshmin dhe të gjithëmonshmin, JAHJA FUSHA.
2. SHABAN SHALA: I lindur në vitin 1933 në Letan të Besianës dhe i mbytur nën torturë në vitin 1963 në Burgun e Prishtinës, Bastijën ku ekzekutoheshin patriotët shqiptarë nga udbashët serbë, jugosllavë dhe shqipfolës. Si i ri ishte angazhuar në NDSH, lëvizjen më patriotike te shqiptarët që në asnjë mënyrë nuk e pranonin komunizmin, Jugosllavinë dhe Serbinë duke e kundërshtuar me armë në duar e që plumbin e fundit në mbrojtje të këtij ideali e kishin jetën e tyre. Moto e tyre ishte një komb, një gjuhë dhe një atdhe. Kombi ishte shqiptar, gjuha ishte shqipe kurse atdheu ishte Shqipëria. Në mbrojtje të këtij ideali, Shaban Shala e dha jetën nën tortura më të tmerrshme. Në prag të vdekjes, Shaban Shala këndonte: “O ku vend nuk është as Serbi e as Jugosllavi por është Kosovë dhe Shqipëri…” Me bindje politike ishte me Jahja Fushën. Në kështjellën e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar, Shaban Shala e vuri në themel një gur që i mbijeton të gjitha kohët, jetën e tij.
3. XHELADIN REKALIU: Ishte nga brezi i artë i patriotëve shqiptarë që e bartën flakadanin e lirisë që nga rilindësit, nacionalistët shqiptarë pas luftës së dytë botëror për t’ua dorëzuar gjeneratave që kulmuan me luftën çlirimtare të UÇK-së. Si organizator i demonstratave të vitit 1968 u dënua me katër vite burg të rëndë në Goli Otok, vendferr për të dënuarit politikë që e kundërshtonin Jugosllavinë dhe Serbinë. Xheladin Rekaliu ishte në xherdanin e margaritarëve kombëtarë bashkë me Skender Kastratin, Rexhep Malën, Hamit Abdullahun, Hakif Shehollin, Ibrahim Demollin dhe patriotë të tjerë që nuk e ndali aktivitetin deri në kohën kur u nda nga jeta në vitin 1998 ndërsa kishte lindur në vitin 1948. Guru politik dhe kombëtar e kishte Bacë Adem Demaçin. Xheladin Rekaliu, pas daljes nga burgu dhe izolimi, një kohë kishte punuar në Ramiz Sadiku, bashkë me Rade Noviçeviqin që pastaj u bë shef i UDB-së në Besianë që edhe e kishte torturuar Xhelën në Stacionin e Policisë në Podujevë. Këtë më kishte treguar Xhela dhe, ndonëse në fillim e mohonte, më vonë e pranoi edhe vet Rade Noviçeviq. Xheladin Rekaliu ishte shumë modest, i urtë, i durueshëm, asnjëherë ankues ndonëse fati i jetës nuk ishte aspak i mëshirshëm ndaj tij. I mbetur pa punë, me shumë fëmijë, pa shtëpi normale, nuk kishte as përkrahje përveç të disa miqve dhe shokëve. Tërë pasditen e kalonte në minimarketin “Vlora” që ishte pronë e familjes sime ku mblidheshin të gjithë atdhetarët, aktivistët politikë dhe të KMDLNj-së. Xheladin Rekaliu nuk pranonte ndihmë thuaja nga askush përveç ndaj atyre që shumë iu besonte. Për më keq, ai u diagnostifikua me kancer dhe u bë organizimi të transferohet në Tiranë për t’u dërguar pastaj në Zvicër. Në Tiranë qëndroi në banesën dhe përkujdesjen e Arif Ejupit, një veprimtar i jashtëzakonshëm kombëtar, politik dhe i KMDLNj-së. Pasi u transferua në Zvicër dhe u vendosë në spital, një interesim të jashtëzakonshëm për të e tregoi, Hysen Shurdhani, Aga i Kaçanikut duke e vizituar çdo ditë dhe duke e marrë në banesë çdo fundjave. Hysen Shurdhani ishte dënuar dy herë politikisht me gjithsej 15 vite burg. Kur u kuptua se nuk kishte shërim, Xhela u kthye në Besianë nën përkujdesje të familjes dhe disa shokëve. Një ditë para se të ndërron jetë, bashkë me gruan time, Fexhrije Shala, e burgosur politike, e vizituam Xhelën që ishte i mrekulluar me organizimin e UÇK-së. Në fakt, ai na tha se me daljen në skenë të UÇK-së po përmbyllet misioni ynë dhe se ia ka vëlejtur çdo sakrificë. Herën tjetër tha të mos vijmë pa Bacën Adem Demaçi. Xhela iku nga kjo botë pa e pritur përfundimin e luftës por me bindje se do ta fitojmë këtë luftë. Nëse duam ta kemi portretin komplet të një njeriu të mrekullueshëm, patrioti të madh, stoiku shqiptar atëherë të gjitha këto i ka pasur XHELADIN REKALIU.
4. BAJRUDH BEHRAMI: Bajrushi ishte patriot idealist i frymëzuar nga arti dhe artist i frymëzuar nga çështja kombëtare. Bajrushit thjesht nuk i interesonte ana materiale, ishte bohem që ëndërronte dhe punonte për çlirim dhe bashkim kombëtar. Gjithmonë i buzëqeshur, asnjëherë i mërrolur përkundër problemeve me të cilat përballej, edhe ato të mbijetesës. I dënuar me 10 vite burg, i torturuar edhe pasi përfundoi dënimin, Bajrushi e ruajti fort shtyllën kurrizore, pa u lakuar asnjëherë në rrugën për liri dhe bashkim kombëtar. Bajrushi nuk kishte shumë shokë, shoqërohej me Hakifin dhe Lulin, kryesisht. Një kohë të madhe e kalonte me mua në “minimarketin Vlora” në Besianë. Për disa muaj e angazhova në KMDLNJ, në shërbimin për informim deri kur shkoi në UNIKOMB. Bajrush BEHRAMI ishte ushtar i bindur politik dhe jo vetëm politik i Bacë Adem Demaçit duke u angazhuar në Zyrën e UÇK-së në Prishtinë. Pas përfundimit të luftës, Bajrush BEHRAMI nuk mund të gjente një vend pune pavarësisht se ishte shumë modest në kërkesa. Prej të burgosurve politikë, për aq sa unë i njohë, vështirë të gjeni një më modest, më idealist dhe më babaxhan se që ishte Bajrush BEHRAMI.
Ne që pastaj u burgosëm dhe u dënuam me shumë vite burg, frymëzimin dhe forcën e kishim te Baca Adem Demaçi kurse zanatin e veprimit, përvojën e qëndresës, vendosmërinë për sakrifikim, pa pyetur për çmim që duhej paguar e morëm nga Jahja Fusha dhe Shaban Shala, të cilët nuk i takuam kurrë ndërsa jemi të nderuar që ishim afër dhe shokë të Xheladin Rekaliut dhe Bajrush Behramit, KATËR ASETËT E SHQIPTARISË NË LLAP.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjermania ka dëbuar disa afganë në vendin e tyre -…