Jahja Koka i bashkohet Vetëvendosjes!
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka prezantuar anëtarin më të ri të kësaj partie.
Në profilin e vet në “Facebook”, Kurti ka treguar se VV-së, i është bashkuar Jahja Koka. Aty ka shkruar edhe një biografi të Kokës.
Postimi i plotë i Kurtit:
Prof. Dr. Jahja Koka u anëtarësua në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.
I lindur në Gjakovë ai është me prejardhje nga një familje dëshmorësh dhe patriotike nga Shqipëria. Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në vendlindje, universitetin në Prishtinë, ndërkaq magjistraturën dhe doktoratin në Zagreb dhe Moskë në Institutin Lomonosov, ku ishte student i nobelistëve Basov dhe Prokhorov.
Prof. Koka ishte doktori i parë i holografisë laserike në ish Jugosllavi. Në Universitetin e Kosovës punoi 22 vjet ku arriti gradën profesor dhe themeloi laboratorin e holografisë laserike, të parin në ish Jugosllavi.
Me fondacionet amerikane IREX dhe Fulbright arriti të kryente hulumtime specializuese në Universitetin MIT-Harvard nën udhëhqjen e profesor Stephen Benton. Në Universitetin Carnegie Mellon në Pittsburgh arrin thirrjen e profesorit dhe kyçet në CEODP, qendra më e njohur në botë për optikën laserike e drejtuar nga zbuluesi i kompjuterit opik David Casasent.
Gjatë kësaj kohe inkuadrohet në hulumtime të NASA dhe në kompanitë e mirënjohura ushtarake të lidhura me shtetin amerikan: LITTON dhe DARPA. Vijon punën në një universitet amerikano-kuvajtas ku edhe arrin pozitën e drejtorit të laboratorit të famshëm laseriko-astronomik duke zëvendësuar aty nobelistin Prof. Zewail.
Përgjatë këtyre hulumtimeve që shtrihen në tri dekada, Prof. Jahja Koka ka dhënë kontribut të çmuar kombëtar. Ai ka shkruar në gjuhën shqipe librat e parë për laserët në Tiranë dhe Kosovë, si dhe ka ngritur doktora eminent në UP dhe UT. Është themelues i degëve fizike të Institutitit kombëtar ALB-Shkenca, si dhe i Qendrës “Kosmosi dhe Njeriu”. Ka botuar libra shkencorë në ShBA, Gjermani si dhe qindra punime shkencore në revista prestigjioze botërore, e ku ishte edhe recenzent. Ka të botuara tri libra nga lëmia e politikës dhe qindra artikuj në gazeta, përfshirë këtu edhe në New York Times, Herald Tirbune, Washington Times. Ka fituar shumë dekorata dhe mirënjohje prestigjioze, ndërkombëtare dhe kombëtare.