Jahja Kokajt ia hakojnë llogarinë e “Facebook”-ut, i kërkojnë para për t’ia kthyer
Deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, i është hakuar llogaria e tij në rrjetin social “Facebook”, derisa i kanë kërkuar një shumë të parave për t’ia kthyer.
Policia ka konfirmuar rastin, duke thënë se janë njoftuar mbrëmjen e së premtes, derisa nuk raportohet për të arrestuar.
“Rr. Ismail Koci, Gjakovë 24.06.2022-20:30 Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se person-a të dyshuar të pa njohur i kanë bllokuar llogarinë e tij në rrjetet sociale si dhe kanë kërkuar nga ai një shumë parash. Nuk raportohet për të arrestuar, rasti në hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.
Për rastin ka njoftuar edhe i biri i tij, Agoni, i cili ka thënë se llogaria e deputetit është hakuar dhe se nëse dërgohet ndonjë mesazh nga llogaria e tij, nuk është i shkruar nga ai.
“Zonja dhe zotërinj, dua t’ju njoftoj se Dr. Jahja Kokaj llogaria e tij në facebook është hakuar nga dikush, prandaj nëse merrni ndonjë mesazh nuk janë të tij”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.