Jahjaga: Askush nuk mund të përdhos luftën e Kosovës për liri e pavarësi
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Me këtë rast, ajo ka thënë se askush nuk mund të përdhos luftën e Kosovës për liri e pavarësi.
“Me vëmendje jam duke ndjekur zhvillimet e fundit në lidhje me Dhomat e Specializuara në Hagë. Është e rëndësishme të rikujtojmë se: Askush nuk mund të përdhos luftën e Kosovës për liri e pavarësi! Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri dhe çlirim nga okupimi i Serbisë ushtria e së cilës, atëkohë, po kryente vrasje masive, spastrim etnik, dhunime, e tortura ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.
Në këtë kohë të zymtë është e rëndësishme të qëndrojmë të bashkuar, të kemi durim dhe besim në drejtësi!”.
“Të gjitha vendet e rajonit që kanë qenë në luftë mes vete duhet të ballafaqohen me të kaluarën. Kosova ka shprehur gatishmëri për këtë ballafaqim dhe i është përgjigjur gjithmonë thirrjes së drejtësisë.
Serbia, ndërkaq, si agresore e luftërave në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, e Kroaci është dashur qysh moti të ndjek këtë shembull! Pa mbyllur kapitujt e errët të luftës nuk mund të ndërtojmë paqe të qëndrueshme e stabilitet në rajon!”, ka shkruar Jahjaga në llogarinë e vet në “Facebook”.