Jahjaga: Liderët e vendit nuk po shqetësohen me ikjen e qytetarëve
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka marrë pjesë në konferencën virtuale “Diaspora flet 2020”, e cila është organizuar nga Fondacioni Germin.
Me këtë rast, ajo ka folur për emigracionin e qytetarëve të Kosovës jashtë vendit.
“Përderisa në Shqipëri kishim regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, ndërsa në Kosovë kishim atë të Sllobodan Millosheviqit. Ai që guxonte të fliste hapur apo të shkonte kundër këtij regjimi, dënohej me torturë, burgim apo dhe me vdekje. Ishte dhe kriza për ekzistencë, shkalla e lartë e varfërisë, që i shtynte kosovarët që të kërkonin një jetë më të mirë. Edhe pas demokratizimit të vendeve tona pakënaqësitë kanë vazhduar të njëjta, ka mungesë të zhvillimit ekonomik, kemi një numër të lartë të qytetarëve që ikin nga vendet tona”, ka thënë ajo.
Sa i përket liderëve të vendit, se a janë ata të shqetësuar për këtë problem, ajo tha se një pjesë edhe mund të jenë të shqetësuar, por fatkeqësisht nuk po e shohim këtë shqetësim, apo se kemi parë deri më tani.
“Pandemia nga Covid ka tërhequr vëmendjen jo vetëm nga qeveritë tona por nga të gjithë në botë. Duhet të parandalojmë ikjen e qytetarëve tanë me plane konkrete. Duhet të analizojnë të gjitha faktorët shtytëse. Duhet zgjidhje funksionale dhe afatgjate që hyn në funksion të shteteve tona dhe qytetarëve. Është momenti i fundit për vendime konkrete”, ka thënë ajo.