Jahjaga: Lidershipi i presidentit Clinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës
Ish-presidentja Atifete Jahjaga përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka shkruar se ishte nder dhe privilegj i madh ta mirëpriste në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike.
“Në kohën më të errët të historisë moderne të vendit tonë, vendosmëria dhe guximi i Presidentit Klinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë një populli të tërë. Vendimi i Presidentit Klinton për të mbështetur fushatën e NATO-s në dhënien fund luftës në Kosovë ndaloi një katastrofë njerëzore që po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha në Ballkan. Lidershipi i presidentit Klinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës dhe u bë garantues për rivendosjen paqes dhe të stabilitetit në të gjithë rajonin. Mbështetja a palëkundur e tij për Kosovën dhe popullin e saj është simbol i miqësisë dhe aleancës së fuqishme të Shteteve të Bashkuara me Kosovën! Përjetësisht mirënjohës!”, ka shkruar Jahjaga.
/Epoka e re/