Jahjaga takohet me ministrin e Drejtësisë, bisedojnë për mbijetuarat e dhunës seksuale
Selim Selimi, i cili ka qenë këshilltar i ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, sot e ka pritur këtë të fundit si ministër i Drejtësisë.
Gjatë këtij takimi, ministri Selimi e ka vlerësuar lartë kontributin e ish- presidentes Jahjaga, në Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.
Selimi ka thënë se prioritet i tij mbetet fuqizimi i Komisionit qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe trajtimi, mbrojtja dhe mbështetja për viktimat e dhunës në familje, raporton “Epoka e re”.
“Qasja në drejtësi mbetet e nevojshme për këto raste, andaj unë si ministër i Drejtësisë do të bëj të pamundur që këto raste të trajtohen me prioritet”, ka thënë Selimi.
Më tutje, ministri Selimi, ka thënë se është i rëndësishëm bashkëpunimi në mes të institucioneve të Kosovës dhe organizatave joqeveritare të cilat kanë në fokus trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dhunës në familje.
Ndërsa Jahjaga ka falënderuar ministrin Selimi për gatishmërinë e ofruar për t’i dalë në ndihmë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe të ofrojë mbështetje për viktimat e dhunës në familje.
Ministri Selimi dhe ish-presidentja Jahjaga kanë folur edhe për fuqizimin e rolit të gruas, si dhe mbështetjen e grupeve të margjinalizuara në Kosovë.