Jakup Krasniqi i përgjigjet Haradinajt: Nisma ta dha shansin për qeverisje
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ka pasur kritika për Qeverinë, pjesë e të cilës është Nisma Socialdemokrate e tij, përgjigjet në Express për ‘selamet’ që i dërgoi kryeministri Ramush Haradinaj rreth qëndrimeve të tij.
Po ashtu, Krasniqi tregon se a është i kënaqur me përgjigjet që i mori nga presidenti Thaçi, pasi ky u takua me liderin e Rusisë, Vladimir Putinin.
Kryeministri Ramush Haradinaj nuk i kishte pritur mirë fjalët e Jakup Krasniqit, për qeverisjen e tij. Haradinaj ka thënë të hënën në Pressing se nuk është e ndershme që Nisma të jetë pjesë e Qeverisë ku udhëheq tri ministri në krye me Fatmir Limajn, ndërsa Krasniqi t’ia bëjë opozitën Qeverisë.
“Nuk e mendoj si të ndershme njëri andej, e tjetri këndej. Kush luan me dy karta nuk i shkon larg. Unë nuk e kuptoj se si kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës [Jakup Krasniqi] ka një qëndrim, e kryetari i partisë [Fatmir Limaj] ka tjetër qëndrim”, është shprehur Haradinaj për pozicionimet e Limajt dhe Krasniqit.
Kryeministri ndër të tjera, i ka bërë thirrje udhëheqësve të Nismës që të qartësojnë pozicionin e tyre nëse janë me të, apo duan të dalin nga Qeveria.
Kransiqi për Gazetën Express i është përgjigjur kryeministrit Haradinaj.
Krasniqi ka thënë se vërejtjet e tij nuk është dashur të merren si kritika, por si këshilla.
“Kryeministri i Kosovës, vërejtjet e mija nuk është dashur që t’i merrte si kritikë, por si këshilla për një qeverisje më të mirë. Unë e mirëkuptoi pozicionin e tij në konstelacionin e forcave në koalicionin qeverisës”, thotë Krasniqi.
Ai ia kujton Haradinajt se Nisma i ka dhënë mundësinë që të marrë qeverisjen qendrore, prandaj, sipas Krasniqit, kryeministri duhet të jetë mirënjohës.
“Unë besoj që ai e dinë se Nisma ia ka dhënë shansin për të qeverisur dhe do të duhet që t’i jetë mirënjohës. Në këshilla edhe miqësore ka edhe kritikë përbrenda”, është shprehur kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës.