Jam i lumtur që i mashtrova ata që vdiqën para meje
Fragmente intervistash të Umberto Ekos
Umberto Eco
Jeni rritur në Alessandria. Çfarë qyteti është ai?
Alessandria është një qytet që nuk lëviz, skeptik, pa entuziazëm. Është edhe qyteti që kishte të vetmin papë jonepotist, i cili kurrë s’kishte një geto hebre dhe i cili kurrë nuk spekuloi rreth Shën Françeskut. Një qytet, pra, pa heronj dhe pa mite, por që nuk ka vrarë askënd asnjëherë për t’i pasur ato.
Familja juaj?
Babai im ishte kontabilist, kurse babai i tij një shtypës librash. Babai im ishte i pari nga trembëdhjetë fëmijët që kishin prindërit e tij. Gjyshi im kishte shumë ndikim në jetën time, megjithëse nuk e vizitoja shpesh. Ai vdiq kur isha gjashtë vjeç. Ai ishte jashtëzakonisht kurioz dhe lexonte shumë libra. Kur doli në pension filloi t’i rilidhte librat. Por, ai kishte edhe shumë prej tyre të parilidhura në apartamentin e vet – botime të vjetra, të mrekullueshme të romaneve të njohura nga Gautier dhe Dumas. Këta ishin librat e parë që kam parë. Kur vdiq në vitin 1938, shumë pronarë të këtyre librave të parilidhura nuk i kërkuan përsëri dhe familjarët i vunë në një kuti. Pothuajse rastësisht ajo kuti përfundoi në bodrumin e shtëpisë sime. Nganjëherë më urdhëronin të zbrisja në bodrum për të marrë qymyr ose një shishe verë dhe një ditë nga ato hapa kutinë dhe zbulova thesarin e librave. Për fat të keq, do t’i kisha humbur të gjitha, por me kalimin e kohës i bleva.
Kur vendoset çfarë do të donit të bëheshit kur të rriteshit?
Deri në gjashtë vjet dëshiroja të bëhesha tramvajnist. Pastaj në moshën tetë vjeçe fillova të lexoja Salgarin dhe librat e gjyshes. Kështu, pra, fillova të shkruaja tregime për një shtëpi botuese krejtësisht personale.
Si lindi “Emri i trëndafilit”?
Romani ka lindur rastësisht. Kam marrë propozimin për të shkruar një histori policeske prej njëqind faqesh. E refuzova për shkak të mungesës së kohës. Më pastaj, duke u kthyer në shtëpi, fillova të mendoj për këtë ide që me siguri e pashë të vendosur në Mesjetë. Kam gjetur një traktat mbi helmët në duart e mia. Flitej për një nga ato që janë të afta për të kaluar nëpër lëkurë. Instinktivisht më erdhi në mendje një roman me pesëqind faqe.
Si reaguan kolegët e universitetit për suksesin tuaj? Po shkrimtarët?
Njëherë, do të doja të theksoja, vetëm pas romanit mora 38 gradë nderi (lauree ad honorem), kështu që, siç duket, kolegët e universitetit e kanë pritur mirë suksesin tim. Nëse ka ndonjë që nuk e ka pritur mirë suksesin tim, ata sigurisht se nuk janë studentë apo kolegë universiteti. Në Itali, për arsye të ndryshme, dikush tha: “Po ky deri dje ishte kamerier në një bar”. Nuk ishte zili, thjesht nuk më pranonte i afërmi i shtëpisë. Sepse këta të shtëpisë e dinë një pafundësi të aktiviteteve të mia “zullumqare”, për shembull, ditari i vogël e të tjera e tjera të ngjashme, ndërsa jashtë shtëpisë (jashtë Italisë, v. i.) unë atje shfaqem vetëm si autor i librave seriozë. Pastaj është edhe një tjetër karakteristikë italiane. Nëse në Shtetet e Bashkuara Philip Roth shet shumë libra, kjo nuk e zvogëlon imazhin që bëjnë kritikët. Unë mund t’ju tregoj – por ju duhet t’i merrni disa dosje – të paktën dy zotërinj shumë të njohur të cilët kanë shkruar mirë sapo kam botuar librin “Emri i trëndafilit”. Dhe, më pas, kur libri arriti 200 mijë kopje, ata shkruan të kundërtën. Nëse ai kishte mbetur brenda 5 000 kopjeve do të ishte një kryevepër.
Kanë kaluar tetë vjet mes këtij debutimi dhe romanit të dytë, pse?
Për “Emrin e trëndafilit” kisha mijëra dokumente në duar dhe m’u deshën vetëm dy vjet për ta shkruar, ndërsa hulumtimet dhe shkrimi i “Lavjerrësi i Fukoit” zgjati tetë vjet. Edhe pse s’i tregoja askujt se çfarë po bëja, sot e kam të qartë që kam jetuar në një botë krejtësisht timen për gati një dekadë.
Po kompjuteri, a e ka ndryshuar mënyrën e të shkruarit tuaj?
Askush s’mund të parashikonte qartë se çfarë do të ndodhte. Por dokumenti i parë i Belbos (Belbo, një ndër personazhet e një prej librave të tij) shpjegon se si kompjuteri do ta kishte ndryshuar marrëdhënien mes mendimit dhe shkrimit, me dorën që me bindje ndjek ritmin e imagjinatës tënde, pa u brengosur shumë, sepse më vonë ju keni mundësinë e korrigjimit, pastrimit, kontrollit të tepërt, shpesh edhe të rishkrimit. Kjo bën një dallim të madh midis atyre që shkruajnë sot dhe atyre që janë gdhendur në pllakat e argjilës. Qysh atëherë ishte e qartë.
Pa kompjuter s’do të kishte internet, dhe prapë jeni i një ideje tjetër?
Interneti është si një bibliotekë e pafundme, pa filtrim. Virtytet e bibliotekave, si enciklopedi, nuk janë vetëm për të ruajtur kujtime, por për të hedhur atë që nuk është e nevojshme në një kulturë. Nëse nuk do të hidhnim asgjë, do të ishim si “Funes el memorioso”, i një tregimi nga Jorge Luis Borgesi. Ky personazh kujtonte gjithçka: ai ishte një njeri me kujtesë të plotë, i paaftë për të arsyetuar, sepse nuk ishte në gjendje të filtronte. Interneti është si Funes: përmban gjithçka, të vërtetën dhe të rrejshmen, e gjithë kjo është një rrezik serioz, posaçërisht për të rinjtë.
A ka mbizotëruar fryma e tij apokaliptike?
Jo, jo tërësisht. Kur Gutenbergu shpiku shtypjen e tipit lëvizës, më të varfrit nuk u nisën menjëherë për të marrë një kopje të Biblës me 42 linja, por e lexuan atë një shekull më vonë. Dhe mos ta harrojmë Martin Lutheron. Pavarësisht prej analfabetizmit të madh, përkthimi i tij i Dhiatës së Re qarkullonte në të gjitha klasat shoqërore të Gjermanisë së shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ajo që na nevojitet është një rrjet (internet) Luthero.
Ndërkohë nuk ka asgjë që mund të bëhet?
Kultura është një ndërrim i vazhdueshëm midis fjalës së lirë dhe kritikës ndaj këtyre grupfjalësh. Ajo që po ndodh me uebin, nga ana tjetër, është se idolizon idealin e fjalës së plotë, pa asnjë kontroll nga të tjerët. Me dashtë të jem i keq – ose apokaliptik – mund të them se është triumfi i “fjalës për idiotin”. Por kjo nuk është kulturë. Ose më mirë, idioti mund të flasë, madje dhe të ligjërojë në universitet për sa kohë që u mbetet mundësi të tjerëve të argumentojnë, ta sfidojnë, të paraqesin modele alternativash. Me këto forma të pseudopjesëmarrjes, nga ana tjetër, çdokush shpreh atë që i vjen në mendje, ndonjëherë edhe duke u kënaqur me tonet dhe përmbajtjet fyese. Kështu, supozimi themelor i demokracisë, ose supozimi se jo gjithçka që thuhet është e mirë, rrezikon të bjerë. Ata që theorizojnë të kundërtën, duke mbrojtur thjesht shprehjen e fjalës si forma e vetme e shprehjes, në fakt kanë hequr dorë nga demokracia – pra, nga arsyet e kulturës demokratike – si kritikë e opinioneve.
Cili është roli i një intelektuali, atëherë?
Kur një intelektual flet për një parti politike ai nuk e bën fare punën e tij si intelektual. Ai e bën punën e tij si qytetar. Kur them që intelektualët duhet të heshtin, flas për intelektualin në kuptimin e krijuesit të mendimeve. Funksioni i tyre është të reflektojë mbi atë që ka ndodhur, se çfarë mund të ndodhë. Ta zëmë që dikush është ekspert i sistemeve të sigurisë. Nëse është e nevojshme, ai duhet të shkruajë se sallat kinematografike nuk kanë sisteme të mjaftueshme të kontrollit kundër zjarrit. Pra, dhe në këtë mënyrë ushtron funksionin e tij kritik si intelektual. Në çastin që ai është në kinema dhe kinemaja merr zjarr, ai më nuk ka asgjë tjetër për të bërë aty, pos asaj që çdo person i ndjeshëm duhet të bëjë. Dhe nëse ai është më i vëmendshëm, si qytetar, ai do të jetë i pari që do ta kapë telefonin dhe do t’i thërrasë zjarrfikësit. Por, për ta pyetur veten në atë çast, ndërsa shtëpia digjet, për të nënshkruar një apel, është një formë e kotë e argëtimit.
A ka ndonjë gjë për të cilën do t’ju vinte keq?
Ndoshta do të plakem i gëzueshëm sepse mendoj se pleqëria është diçka e bukur. Unë nuk i kuptoj shokët e mi që ankohen: jam i bindur se kam të njëjtën kujtesë çeliku si kur isha djalë i ri, edhe pse kaloj net në kërkim të librave me një kthesë të verdhë që kanë një kthesë të kuqe. Sigurisht se kam një përvojë të madhe. Dhe pastaj… jam i lumtur që mashtrova të gjithë të tjerët që vdiqën para meje.
(Fragmente nga intervistat e Umberto Ekos dhënë mediave: The Paris Review, Corriere della Sera, l’Espresso, The New York Times, L’unità, La Stampa, Internazionale, Wired, La Repubblica. Zgjodhi: Gi. Rizzo. Përktheu nga italishtja në shqip: L. Buçinca, për revistën “Akademia”)