Jam krenar për ekipin
Hans Flick është kthyer në hero në pak muaj. Tre trofe të fituar, ndërkohë që e mori drejtimin e Bayern Munich në muajin nëntor. Kovac u zëvendësua nga gjermani, i cili u fut në skenë dhe arriti ta shfrytëzonte momentin. Fitore të njëpasnjëshme në kampionat, kontratë dhe ën fund titull, Kupë dhe Champions League.
Më mirë nuk bëhet dhe Flick ndihet mirë për futbollistët e tij, të cilët kishin uri të madhe për të fituar dhe për të treguar që duhet t’i kishin frikë të gjithë. “Jam krenar për ekipin”, thotë fillimisht Flick, i cili nuk ndalet me kaq në fjalën e tij për mediat pas finales së Champions kundër PSG.
“Kur pashë titujt në media në nëntor, gjithçka lexova ishte se askush nuk kishte më frikë nga Bayern. Nga atëherë zhvillimi i ekipit ka qenë i çmendur. E merituam të fitonim, për shkak të gjysmës së dytë të sezonit. Ju mund të shihnit stërvitjen që u bë në janar dhe që aty kuptohej se diçka e madhe po rritej. Ekipi kishte një dëshirë shumë të madhe për të fituar”, tha Flick.