“Jam një grua palestineze krenare…” Bella Hadid reagon pas kritikave për bashkëpunimin me Adidas
Duket se bashkëpunimi i modeles së famshme me markën Adidas ka shkaktuar jo pak “turbullira” virtuale, për shkak të modelit të atleteve të viteve ’70, të prezantuara si koleksion i veçantë për Lojërat Olimpike.
Bella Hadid u zgjodh si imazhi promovues i kësaj marke, por me siguri që as vetë modelja nuk e priste që në vend të komplimenteve, të përballej me kritika.
Kujtojmë se në Lojërat Olimpike të Mynihut në vitin 1972 u vranë 11 atletë izraelitë dhe një polic gjerman nga një grup militant palestinez dhe atletet e lançuara asokohe janë rikthyer në Lojërat Olimpike në Paris.
Hadid reagoi me një postim në “Instastory” duke u shprehur se ishte e “tronditur” dhe e “mërzitur” nga ky krahasim që njerëzit i kanë bërë këtij koleksioni atletesh me ngjarjet mizore të vitit 1972.
“Ekipi im duhet ta dinte këtë! Adidas duhet ta dinte dhe unë duhet të kisha bërë më shumë kërkime, në mënyrë që të kisha kuptuar gjithçka dhe të flisja”, u shpreh Bella.
Adidas tashmë ka kërkuar falje për fushatën dhe ndikimin negativ që solli:
“Vazhdojnë të bëhen lidhje me tragjedinë e tmerrshme që ndodhi në Lojërat Olimpike të Mynihut, për shkak të fushatës sonë të fundit SL72,” u shpreh marka e këpucëve në një deklaratë në “Instastory” të llogarisë zyrtare në “Instagram”.
“Këto supozime nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe ne kërkojmë falje për çdo shqetësim të shkaktuar”.
Më tej, për pretendimet se Bella është një mbrojtëse e Palestinës dhe ka prirje anti-izraelite, modelja tha:
“Palestina nuk është sinonim i terrorizmit dhe kjo fushatë theksoi pa dashje një ngjarje që nuk përfaqëson atë që ne jemi”.
Ajo vijoi:
“Unë jam një grua krenare palestineze dhe mendoj se ka shumë më tepër gjëra në kulturën tonë se sa ato krahasime që janë bërë gjatë javës së kaluar.”
Hadid gjithashtu mohoi të ishte antisemitike, duke shkruar: “Antisemitizmi nuk ka vend në çlirimin e popullit palestinez.
“Unë gjithmonë jam për paqen mbi dhunën, çdo ditë,” theksoi ajo. “Urrejtja nuk ka vend këtu dhe unë do të mbroj gjithmonë jo vetëm popullin tim, por çdo person në mbarë botën.”
Sa i përket Adidas, s’është hera e parë që ndërpret bashkëpunimet për hir të akuzave për antisemitizëm. Në tetor të vitit 2022, marka sportive ndërpreu bashkëpunimin me Kanye West, për shkak se “nuk toleron antisemitizmin”, nisur nga komentet e reperit për komunitetin hebre.