Jam optimist për të ardhmen e PSD-së
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), njëherësh kryetar i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka shprehur optimizëm për të ardhmen e këtij subjekti politik.
Ai ka deklaruar se PSD-ja për një kohë relativisht të shkurtër do të konsolidohet fuqishëm nëpër secilën degë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kastrati ka thënë se të ardhmen e këtij subjekti politik e bëjnë të sigurt vullneti i madh i anëtarëve të saj dhe programi konkret. “Tashmë kemi kryer zgjedhjet për strukturat qendrore. Zyra qendrore po funksionalizohet dhe detyrat organizative janë ndarë. Duke parë, në ditët e para të këtij subjekti, vullnetin e anëtarëve, jam shumë optimist që për një kohë relativisht të shkurtër do të konsolidohemi mirë dhe fuqishëm nëpër secilën degë. Programi po konkretizohet, vullneti nuk po mungon, andaj nuk ka se si të mos jem optimist për të ardhmen e Partisë Socialdemokrate të Kosovës”, ka thënë Kastrati.
Ai ka treguar se dalja nga Vetëvendosja nuk i ka bërë ndonjë problem në qeverisjen komunale, ani pse bashkëqeveris me këtë subjekt politik pa koalicion formal. Sipas tij, duhet të vazhdohet bashkëpunimi për programe e projekte në të mirë të qytetarëve duke lënë anash inatet politike. “Një pjesë e drejtorëve të kabinetit tim vijnë nga subjekti Vetëvendosje edhe pse nuk kam nënshkruar një koalicion formal. Unë jam ithtar i bashkëpunimit për programe e projekte në të mirë të qytetarëve dhe nuk operoj me inate në politikë. Pres bashkëpunim të tillë edhe nga subjektet e tjera, sidomos nga LV-ja”, ka thënë ai.
Në këtë intervistë i pari i Kamenicës ka treguar edhe për projektet që po i zbaton në këtë komunë, duke shtuar se gjashtë muajt e parë iu kanë nevojitur për ta skanuar gjendjen në komunë.
Kastrati është shprehur i kënaqur edhe me bashkëpunimin me Qeverinë qendrore. “Një arritje e këtyre gjashtë muajve është edhe shtimi i raporteve me nivelin qendror duke bërë shumë takime e dorëzuar shumë projekte për financim. Deri më tani përmes marrëveshjeve me ministri të ndryshme kemi arritur të sigurojmë mbi 200 000 euro donacione të cilat kanë shërbyer si infuzion për komunën tonë. Jemi në rrugë të mbarë të arrijmë edhe disa marrëveshje të tilla. Për këtë më duhet t’i falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët nga Qeveria”, është shprehur Kastrati.
“Epoka e re”: Z. kryetar, Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e ish-kandidatit të LDK-së për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdullit, që kjo komunë të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Cili është komenti juaj për këtë vendim të Kushtetueses?
Kastrati: Për ne ka qenë e pritshme një përgjigje e tillë. Nuk ka pasur mundësi tjetër përpos që ankesa e LDK-së të hidhet poshtë si e pabazuar, ashtu siç ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese. Më vjen keq që kundërshtarët politikë kanë bërë shumë propagandë dhe kanë humbur kohë duke shpresuar në një vendim tjetër. Tash është koha që të gjithë bashkërisht të mundohemi për përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunës sonë.
“Epoka e re”: Janë bërë disa muaj që keni ardhur në krye të komunës. Sa keni realizuar nga projektet që keni premtuar?
Kastrati: Duhet pasur parasysh se vitin e parë ne do të qeverisim me një buxhet tashmë të miratuar nga Kuvendi Komunal paraprak. Aty janë të përfshira të gjitha investimet kapitale të parapara nga qeverisja e kaluar. Brenda mundësive jam përpjekur që punët e tenderimit të kryhen sa më shpejt e projektet e nisura të përfundohen brenda afateve. Po ashtu, duke ndryshuar formën e funksionimit të brendshëm, do të mundësojmë kursim më të madh ndaj shpenzimeve të ashtuquajtura të luksit dhe riorientim i atyre mjeteve në fusha më të nevojshme për qytetarët.
“Epoka e re”: Cilat janë prioritet tuaja kryesore për këtë vit?
Kastrati: Duke ditur që është viti i parë i qeverisjes dhe planifikimin buxhetor e kemi të trashëguar, gjashtë muajt e parë i kam shfrytëzuar për ta skanuar gjendjen, njohur stafin e administratës, evidentuar pikat e dobëta dhe ato të forta. Ky skanim i gjendjes më ka konfirmuar se duhet të bëjmë disa ndryshime në administratë në disa nyje kyçe në mënyrë që të rritet efikasiteti dhe shpejtësia e shërbimeve. Po përgjatë kësaj periudhe kam lidhur kontakte me shumë organizata joqeveritare të huaja e vendore, me të cilat jemi duke u përpjekur të arrijmë marrëveshje bashkëpunimi për fusha të ndryshme, ku ata do të na ndihmojnë duke na financuar projektet ose duke na dhënë në shërbim ekspertizën profesionale.
“Epoka e re”: Çfarë janë raportet tuaja me Qeverinë qendrore?
Kastrati: Një arritje e këtyre gjashtë muajve është edhe shtimi i raporteve me nivelin qendror duke bërë shumë takime e dorëzuar shumë projekte për financim. Deri më tani përmes marrëveshjeve me ministri të ndryshme kemi arritur të sigurojmë mbi 200 000 euro donacione, të cilat kanë shërbyer si infuzion për komunën tonë. Jemi në rrugë të mbarë që të arrijmë edhe disa marrëveshje të tilla. Për këtë më duhet t’i falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët nga Qeveria.
“Epoka e re”: Ju jeni zgjedhur kryetar i kësaj komune si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, kurse tani i përkisni subjektit politik PSD. Cili do të jetë bashkëpunimi me asamblistët e LV-së?
Kastrati: Një pjesë e drejtorëve të kabinetit tim vijnë nga subjekti Vetëvendosje, edhe pse nuk kam nënshkruar një koalicion formal. Unë jam ithtar i bashkëpunimit për programe e projekte në të mirë të qytetarëve dhe nuk operoj me inate në politikë. Pres një bashkëpunim të tillë edhe nga subjektet e tjera, sidomos nga LV-ja.
“Epoka e re”: PSD-ja tani ka zgjedhur strukturat e saj qendrore dhe ka filluar të konsolidohet si subjekt politik në terren. Si e shihni të ardhmen politike të këtij subjekti?
Kastrati: Tashmë kemi kryer zgjedhjet për strukturat qendrore. Zyra qendrore po funksionalizohet dhe detyrat organizative janë ndarë. Duke parë ditët e para të këtij subjekti, vullnetin e anëtarëve, jam shumë optimist që për një kohë relativisht të shkurtër do të konsolidohemi mirë dhe fuqishëm nëpër secilën degë. Idetë që na bashkojnë janë programi po konkretizohet, vullneti nuk po mungon, andaj nuk ka se si të mos jem optimist për të ardhmen e Partisë Socialdemokrate të Kosovës.
Muhamet KOCI