Jam shërbëtor i gjuhës shqipe, i kësaj zonje të madhe. E kam për nder
Profesori, poeti, studiuesi i letërsisë, Agim Vinca, në kuadër të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, organizuar në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në qendrën “Libart”, të enjten për rreth dy orë ka bashkëbiseduar me të pranishmit për shumë tema me rëndësi, kryesisht për letërsinë, gjuhën, kritikën, historinë, politikën, i pyetur nga moderatori, ish-studenti i tij, poeti dhe studiuesi Bedri Zyberaj, çmendim keni për tendencën që mos të përfillet standardi i shqipes, ai është përgjigjur: “Gjuha për ne shqiptarët ka rëndësi të jashtëzakonshme. Gjuha është faktori më i fortë integrues i shqiptarëve. Fatbardhësisht, u ka shpëtuar programeve, agresioneve politike, ushtarake, kulturore. Ka mbijetuar falë paraardhësve tanë. Sot, kur jetojmë në kohën e teknologjisë, kur është liberalizuar shumë media, gjithashtu edhe jeta, gjuha shqipe sot rrezikohet nga depërtimi i ndikimit prej gjuhëve të huaja, nga mungesa e kulturës gjuhësore. Në krijimtari letrare, për arsye estetike, edhe lejohet shkelja e standardit, por jo pa arsye estetike. Për mua problem i madh janë konstruktet e huaja. Shqipja nuk është e lehtë, sepse ka sistem të pasur gramatikor, sistem foljor të jashtëzakonshëm. Ka shumë probleme shqipja, por gjuhëtarët tanë po flenë. E unë jam shërbëtor i gjuhës shqipe, i kësaj zonje të madhe. E kam për nder”, shprehu mendimin profesor Vinca.
Tekstin: Berat Armagedoni. Fotografinë: Zjarr Bujari