Jam si molla n’rremë
Mbrëmë Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar se, pas bërjes së testit për virusin “Korona”, nga 16 mostrat e marra, gjashtë personave ky test u ka dalë pozitiv dhe ata janë nga Komuna e Suharekës. Në mesin e rasteve pozitive janë edhe dy pjesëtarë të policisë, si raste të reja, kurse katër rastet e tjera janë raste kontakti.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në një bisedë telefonike për EO ka thënë se ka pasur kontakt me njërin nga pjesëtarët e policës para 14 ditësh. Ai ka bërë me dije se nuk ka pasur kontakt të afërt, kanë qenë në stacionin e zjarrfikësve së bashku me ekipin në terren. Muharremaj ka kërkuar të mos krijohet panik pasi, siç ka thënë ai, është shëndosh si “molla në rremë”. “Kemi 6 raste, 4 të kontaktit, kurse 2 raste janë të reja që janë pjesëtarë të policisë. Të dy pjesëtarët janë izoluar dhe komuna ka dezinfektuar objektin e shtëpisë. Gjendja e tyre është e mirë. Po, e vërtetë se kam pasur kontakt me njërin nga pjesëtarët e prekur, por ka qenë para 14 ditësh në një terren në stacionin e zjarrfikësve. Unë jam shumë mirë, si molla në rremë, pa asnjë problem”, ka deklaruar Muharremaj.