Jamal dhe Taipi, të lumtur që janë pjesë e Prishtinës
FC Prishtina e mbylli afatin me tre futbollistë të rinj, dy prej tyre, më së të nevojshëm për skuadrën. Arago Jamal e Shqiprim Taipi nuk janë emra të panjohur, ndërsa braziliani Freitas ishte zgjedhja e fundit pas provave duke mos dashur të rrezikohej dhe t’u lihej rasti lëndimeve eventuale në vijën e sulmit, me çka skuadra është përballur shumë në dy vjetët e fundit.
“U ktheva sërish në futbollin e Kosovës sepse mendoj se mund të përfundoj atë çfarë kisha nisur pak vite më herët dhe që nuk e përfundova. Kosova është pranuar në UEFA dhe FIFA dhe gjithçka tani shkon në rrugë profesionale dhe është mundësi e mirë e çdo futbollisti të vijë në klubet e Kosovës që t’i tregojë cilësitë dhe vlerat që ka. Pra, kampionati i Kosovës tani e ka mundësinë t’ua ofrojë, sidomos të rinjve, perspektivën e ngjitjes më lart në futboll”, ka thënë Jamal Arago, duke shtuar: “Po ashtu, kanë bërë edhe njohjet e mia me disa futbollistë, raportet me kryetarin e klubit që të jem pjesë e Prishtinës dhe kampionati i Kosovës do të jetë sërish mundësi e mirë e eksplorimit tim. Ndërsa shokët e futbollit nga Gana që janë në Prishtinë më bëjnë të ndihem edhe më komod dhe sa më shpejt të përshtatem sërish e kjo është më e rëndësishmja që të jem sa më i lumtur dhe i vullnetshëm për punën sa më të mirë që duhet bërë dhe të gjithë të jenë të kënaqur me paraqitjen time”.
Duke folur për transferimin në skuadrën më të madhe në Kosovë, Shqiprim Taipi ka thënë se ndihet i lumtur që është bërë pjesë e skuadrës së Prishtinës. “Isha shumë i kënaqur kur mora vesh se më kërkonte Prishtina, për arsye se është klub shumë i trofeshëm në Kosovë dhe, po ashtu, të gjithë bashkëlojtarët më kanë pritur shumë mirë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Prishtinës dhe t’i arrijmë objektivat e klubit. Më kryesorja dihet se është titulli i kampionit”, ka thënë mesfushori i lindur në Tërnoc të Bujanocit.