“James Bondët” shqiptarë me qindra makina të blinduara
Xhama anti-plumb, strukturë e blinduar me pjesë të fortifikuara dhe sisteme të avancuara sigurie të përmirësuara në performancë, pa lënë pas rehatinë dhe luksin. Nuk është reklamë, por një listë me karakteristika të makinave të blinduara, të ngjashme me atë “Aston Martin” në filmin “No Time To Die” të James Bond.
“Automjetet e blinduara janë parashikuar në përdorim jo për njerëz të thjesht, por për personanazhe që kanë një rëndësi të veçantë në një qytet apo vend”, thotë për A2 CNN Faik Basha, ekspert për çështjet e sigurisë.
Në botë përgjithësisht makinat e blinduara zotërohen nga politikanë, biznesmenë, personazhe nga bota e artit, kulturës apo fesë, prokurorë a gjykatës apo edhe ushtarakë. “Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të transportit Rrugor tregojnë se në vend janë 373 mjete të blinduara, të regjistruara. Pjesa më e madhe e tyre, 182 janë makina kryesisht në zotërim nga individë, ndjekur nga automjetet për përdorim të veçantë, dhe ato për transport specifik apo të përzier”, thotë Basha.
“Për sa i përket automjeteve të blinduara të regjistruara me pronar individ, numri i tyre llogaritet në 84. Pjesa dërrmuese e tyre akne marrë një leje të veçantë në kategorinë transport i përzier”, thotë pwr A2 CNN Fatjon Softa, ekspert për çështjet e sigurisë.
Për të pasur në zotërim një makinë të blinduar nevojiten dokumentet shoqërues me treguesit teknikë dhe të pronësisë së mjetit, të lëshuar nga organet zyrtare të shtetit nga vjen mjeti, si: leje qarkullimi ose certifikatë pronësie. Gjithashtu duhet dokumenti i zhdoganimit, certifikata e Pronësisë dhe Kontrata e Sigurimit të Mjetit. Pjesa më e madhe e tyre janë të markave “Mercedes Benz”, Audi, Land Cruiser, Cadillac apo Lincoln.
Pasja e një makine të blinduar është një e drejtë e gjithkujt në botë që përmbush kushtet, por ajo që i dallon shqiptarët nga qytetarët e shumë vendeve të tjera është qëllimi i zotërimit të saj. Në Shqipëri, një kategori njerëzish që përdor makinën e blinduar për asnjë nga këto motive dhe aq më tepër në dosjet e policisë ka “historinë”, potencialisht mbetet një kërcënim për sigurinë publike.
Ndërkohë, ndonëse zyrtarisht numri i automjeteve të blinduara në vend është rreth 400, shifrat vlerësohet të jetë shumëfish më e lartë. Kjo për shkak se shumica e makinave anti-plumb janë të patarguara dhe pa dokumente.
Megjithatë jo gjithmonë makinat e blinduara përkthehen në paprekshmëri të jetës. Edhe pse kishte në pronësi dy Mercedes Benz G500 dhe S500 të blinduara, kjo nuk ndaloi vrasjen e Edison Harizajt nga Vlora në 2018-n. I njohur si “Il Padrino” dhe me precedentë penalë, 39-vjeçari u vra nga një breshëri plumbash ndërsa lëvizte në Durrës.
Me qëllim sekuestrimin e këtyre automjeteve të përdoruara rëndom në ngjarje kriminale, në fillim të vitit 2020 nisi zbatimin “operacioni Forca e Ligjit.”
Më herët, i njëjti operacion kishte marrë jetë, pa sukses në vitin 2017. Sot nuk është e vështirë të kuptojmë se Policia e Shtetit ka dështuar ndër vite në dhënien dhe vënien nën kontroll të automjeteve të blinduara, duke neglizhuar “CV-të” e pasura kriminale të personave të cilët i zotërojnë ato.
Ndërkohë të blesh një makinë të blinduar në Shqipëri qenka shumë e thjeshtë! Mjafton një klikim në faqet e internetit të destinuara për shitje automjetesh dhe je vetëm një telefonatë larg mundësisë për të bërë tënden një makinë nga e cila mund të qëllosh me armë zjarri, pra të realizosh një qëllim kriminal apo thjesht ta përdorësh për t’u mbrojtur.
Të udhëtosh në stilin “James Bond”, në Shqipëri ditët e sotme është kthyer në gati normale. Tirana është qarku me numrin më të lartë të makinave të blinduara, ndjekur nga Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri dhe Vlora.
Kjo hartë e shpërndarjes së makinave të blinduara, përputhet gati tërësisht edhe me atë të situatës kriminale në vend. /A2