James: Kjo është humbja më e hidhur e karrierës time
Hidhërimi i humbjes në finalen e parë të “play-off”-it në NBA ndaj Golden State ende nuk i ka kaluar basketbollistit të Cleveland, LeBron James, që edhe pse realizoi 51 pikë, nuk arriti t’i shijonte ato.
Cavaliers u mundën pas kohës shtesë dhe tash përgatiten për sfidën e dytë ndaj kampionëve të Warriors. “Padyshim që kjo mbetet një nga humbjet më të vështira për t’u përballuar në karrierën time”, ka pranuar “mbreti James” në një deklaratë para finales së dytë.
“Më vjen keq që humbëm, për mënyrën se si luajtëm, për mënyrën se si përfundoi ajo ndeshje. Për të gjithë ne ka qenë e vështirë të pranonim atë humbje, 24 orët pas finales kanë qenë të vështira, pasi ishin në kushtet për ta fituar atë përballje. Megjithatë, tani kemi përballë një ndeshje tjetër dhe duhet të përqendrohemi tek ajo, për ta fituar. Koha për të kaluar hidhërimin e humbjes tashmë ka kaluar, është koha për të parë përpara”, ka thënë LeBron James. (Telesport)