James Rodriguez pas katër vjetësh po rikthehet në La Liga
Aventura braziliane te Sao Paulo nuk ka zgjatur më shumë se një vit për legjendën kolumbiane James Rodriguez.
Mesfushori ofensivë ka vendosur të rikthehet në Evropë dhe ai sërish do të luaj në La Liga, kampionati ku shkëlqeu më së shumti për katër vite sa ishte pjesë e Real Madridit.
33-vjeçari shkëlqeu në Copa America një muaj më parë dhe klubet e ndryshme evropiane panë që ai është në top formë duke u futur në garë për t’i siguruar shërbimet e tij.
James Rodriguez do të rikthehet sërish në Madrid, por kësaj radhe pritet të nënshkruajë me Rayo Vallecanon.
“Marca” ka raportuar se Vallecano ka mposhtur konkurrencën e Portos për të nënshkruar me lojtarin dhe zyrtarizimi i tij pritet të bëhet brenda kësaj jave.
Rodriguez ka një karrierë të bujshme pasi ka luajtur për klube si Porto, Monaco, Real Madrid, Bayer Munich, Everton, Al-Rayyan dhe Olympiacos.
Veterani kolumbian dëshiron të lë sërish gjurmë në La Liga, teksa te Vallecano do ta ketë shok skuadre mbrojtësin shqiptar Ivan Balliun.