Janari intensifikon takimet mes Athinës dhe Shkupit
Gjatë këtij muaji është hartuar një agjendë e ngjeshur e aktiviteteve të zyrtarëve të lartë të Shkupit dhe Athinës, si dhe diplomatëve të lartë të Brukselit dhe Uashingtonit në funksion të gjetjes së një kompromisi rreth kontestit për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë për t’i hapur rrugë zhbllokimit të anëtarësimit të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike.
Të martën më 9 janar, është paralajmëruar vizita në Athinë e zëvendëskryeministrit për çështje të Integrimeve, Bujar Osmani.
Siç kanë njoftuar nga kabineti i tij, “temë diskutimi ndërmjet zëvendëskryeministrit të çështjeve të Integrimeve Bujar Osmani, me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias dhe zëvendësin e tij, do të jetë integrimi euro-atlantik i Maqedonisë”.
Ndërkohë, mediat greke kanë paralajmëruar dhe për një takim eventual kokë më kokë ndërmjet dy kryeministrave të dy vendeve fqinje, atij të Maqedonisë, Zoran Zaev, dhe kryeministrit grek, Aleksis Cipras në Davos.
Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakoski, në një takim me gazetarët të premten nuk ka dashur të zbulojë më shumë detaje rreth takimeve në fjalë, si dhe nuk ka dhënë shpjegime se cilat mund të jenë zgjidhjet e mundshme për t’i dhënë fund kontestit për çështjen e emrit.
“Përderisa nuk ka asgjëkonkrete dhe specifike, nuk do të përmendim emra të mundshëm. Pra, momentalisht, nuk ka bisedime për emrin potencial apo diçka të ngjashme”, ka deklaruar Boshnjakoski.
Në pyetjen e gazetarëve se pse për aktivitetet që po zhvillohen rreth çështjes së emrit opinioni maqedonas kryesisht njoftohet nga mediat greke, Boshnjakoski ka thënë se për çdo vendim, qytetarët do të jenë të informuar në kohë.
E për njohësit e çështjeve politike, arritja e një konsensusi të brendshëm për definimin e vijave të kuqe në lidhje me kompromisin për çështjen e emrit, paraqet një shtyllë shumë të rëndësishme sa i përket pozicionimit të Maqedonisë kundrejt Greqisë në tryezën e negociatave për zgjidhjen e kontestit dy dekada e gjysmë rreth emrit kushtetues të Maqedonisë.
Në këtë drejtim, Ilia Acevski, sociolog, ka vlerësuar se të gjithë qytetarët e Maqedonisë, veçanërisht ata maqedonas, duhet të jenë mirë të informuar për çdo hap që çon kah zgjidhja e kontestit dhe modalitetet që diskutohen, sepse në të kundërtën, u lihet vend spekulimeve që mund të paraqesin pengesë plotësuese rreth kësaj çështjeje.
“Po është me rëndësi integrimi i vendit në NATO dhe BE, por njëherësh qytetarët duhet ta dinë se cili është çmimi për këtë gjë dhe jo t’u lihet hapësirë hamendjeve, sepse frika që duket se shtrohet si dilemë se për të fituar diçka duhet të humbet diçka tjetër, paraqet rrezik”, ka vlerësuar Acevski.
Nga ana tjetër, Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Veri-atlantik për Radion Evropa e Lirë ka thënë se zgjidhja e kontestit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë, përfundimisht ka hyrë në binarë të duhur. Megjithatë, ai ka theksuar se gjatë periudhës së ardhshme drejtuesit e vendit i pret në sfidë serioze, ku do të duhet të merren vendime jo të lehta sa i përket zgjidhjes së kontestit të emrit që çon kah zhbllokimi i procesi euroatlantik.
“Në vijë të parë sado që të duket optimiste e gjithë kjo, nëse i bëjnë punët, detyrat, drejtuesit e shtetit dhe arrihen rezultate konkrete, atëherë me përkrahjen e ndërkombëtarëve, këtu mendoj me përkrahjen e SHBA-së, strukturave të NATOS dhe BE-së, Republika e Maqedonisë mund të bëhet anëtare e strukturave Veri-atlantike në fund të gjysmës së parë të këtij viti“, ka theksuar Ramadani.
Ndryshe, në javën e tretë të janarit, më 17 dhe 18, në Shkup pritet të arrijë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me ç`rast do të takohet me zyrtarët e lartë të Maqedonisë, ndërsa në fokus të takimeve do të jetë zgjidhja e kontestit të emrit.
Takimet intensive kokë më kokë ndërmjet zyrtarëve të Athinës dhe Shkupit, si dhe vizita e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, vjenpas rifillimit të bisedimeve pas një pauze pothuajse dyvjeçare të përfaqësuesve të Maqedonisë dhe atyre të Greqisë me ndërmjetësuesin e OKB-së, Metju Nimic, për çështjen e emrit./REL