Janari shënoi rritje të numrit të turistëve në Shqipëri
Viti 2024 ka nisur me fluks të konsiderueshëm vizitorësh sipas shifrave zyrtare, pasi muaji janar ka shënuar rritje me 30 për qind më shumë krahasuar me janarin e 2023, në Shqipëri.
Më konkretisht, vetëm gjatë muajit të kaluar, Shqipërinë e kanë vizituar mbi 489 599 vizitorë të huaj, nga rreth 377 mijë që janë regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2023. Ndërsa nëse bëhet krahasimi me muajin e parë të vitit 2022, asokohe numri i vizitorëve ishte 194 237, referuar shifrave zyrtare.
Dimri ka rezultuar gjithnjë me fluks vizitorësh të huaj në rritje, pasi edhe shifrat e Dhjetorit të 2023 tregojnë se në Shqipëri kanë hyrë mbi 616 mijë të huaj, me një rritje prej 57.6 për qind, në raport me dhjetorin e 2022.
Hyrjet kryesore kanë qenë nga vendet e Evropës, ku një pjesë e turistëve, edhe për shkak të festave, janë kryesisht emigrantë, që kthehen në vend pranë familjeve dhe të afërmeve.
Ndërsa bazuar në shifrat zyrtare të INSTAT, numri i vizitorëve që ishin në Shqipëri gjatë vitit 2023 ishte mbi 10 milionë e 155 mijë, duke u rritur me 34 6 për qind, në krahasim me vitin 2022.
Pritshmëritë mbeten të larta edhe për këtë vit, e veçanërisht gjatë periudhës së verës, atëherë kur arrihet edhe piku i turistëve dhe vizitorëve. /KlanNews