“Janë vra vetëm burrat dhe fëmijët”, dëshmitari Krasniqi për masakrën e Pastaselës: Forcat serbe pas disa ditësh u kthyen sërish në fshat

01 prill 2025 | 01:00

Dëshmitari i masakrës së Pastaselës, Haziz Krasniqi në FIVE në RTV Dukagjini ka rrëfyer për tmerret e përjetuara.

Ai ka thënë se fshati i tij në kohën kur është kryer masakra ka qenë i stërmbushur me njerëz të fshatrave të tjerë të cilët ishin përndjekur.

Krasniqi ka thënë se ngjarja kishte filluar me 30 mars dhe kishte vazhduar edhe me 31.

“Ka fillu pushkatimi, vrasja dhe tek më pastaj i kanë marr dhe i kanë masakru, tek të nesrit i kanë marr e i kanë djeg. Të kem parasysh, këtu përveç që i kanë vra, i kanë masakru një pjesë të tyre edhe i kanë djeg”.

“Unë e kam rastin e babës tem. Baba jem është plagos me 31 mars dhe ka vdekë me 1 prill të ’99-tës”.

Ai ka thënë se i mbetet shumë merak që nuk e ka pa babain  e tij i cili ishte i plagosur në bark dhe në këmbë.

“Unë kam qenë diku 200-300 metra lar tinaj dhe s’kom mujt me pa gjatë kohës që ai u kanë tu dhënë shpirt”.

Krasniqi ka thënë se në masakrën e Pastaselës janë vra vetëm burra dhe fëmijë duke treguar se bashkëmocanikët e tij[15-16 vjeç] i kanë vra andaj ai ka thënë se ka ikur sepse nuk ka qenë e sigurt që po të rrinte do të mbijetonte.

Ai ka thënë se masakra është kryer afër shtëpisë së tij.

“Ka pasur me mijëra njerëz… ka qenë ditë shumë e zymtë, me të rënë terri është kallur shtëpia e familjes tem për të ndriçuar hapësirën…është bërë masakra. Pasi që është bërë kjo masakër kanë marr traktorin e familjes tem edhe i kanë marr kufomat e masakruara… i kanë dërguar me një shtëpi tjetër dhe një pjesë i kanë kall dhe ka qenë vështirë me i identifiku prej bashkëfshatarëve ose edhe prej fëmijëve të cilët i kanë pa prindërit e vet në atë gjendje”, ka thënë ai.

Tutje ka thënë Krasniqi se ditë më pas forcat serbe janë kthyer në vendin e ngjarjes dhe i kanë marr kufomat dhe i kanë shpërnda nëpër lokacione të tjera nëpër komuna të ndryshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ruzhdi Kurtishaj, pronar i “Sharr Travel”, ka bërë me dije…