Janjiq: Vulini është i angazhuar nga Vuçiqi të krijojë lidhje sa më të forta me Rusinë
Për kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, synim strategjik i Serbisë është Bashkimi Evropian, por jo edhe për vartësin e tij, Aleksandar Vulin, i cilin po qëndron për vizitë në Moskë. I sanksionuari nga ShBA-ja deklaroi se Serbia duhet të vazhdojë të kultivojë marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe me Kinën.
Serbia vazhdon të luajë me disa karta në politikën e jashtme.
Në njërën anë kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, deklaroi se synimi kryesor strategjik i Serbisë është Bashkimi Evropian.
Mirëpo në një linjë krejt tjetër është vartësi i tij Aleksandar Vulin.
Ai nga Moska tha se Serbia duhet të vazhdojë të ketë marrëdhënie të ngushta me Rusinë si dhe me Kinën.
Në kryeqytetin rus, Vulin zhvilloi takim me drejtorin e Shërbimit të Jashtëm për Inteligjencë të Rusisë, Sergey Naryshkin, ku sipas qeverise serbe u diskutua për përmirësim dhe forcim të bashkëpunimit mes strukturave të sigurisë së Serbisë dhe Rusisë.
E para këtij takimi, Vulin në një intervistë dhënë për Russia Today, deklaroi se për Serbinë koalicioni ndërkombëtar BRICS ofron një alternativë ndaj Bashkimit Evropian.
“Do të ishte e papërgjegjshme nëse nuk do të shqyrtonim të gjitha mundësitë, duke përfshirë anëtarësimin në BRICS. Nëse BRICS është tërheqës për vendet e tjera, si Emiratet, Arabia Saudite apo Turqia, pse duhet të jetë ndryshe për Serbinë? Nuk ka dyshim se BRICS është bërë një alternativë e vërtetë për Bashkimin Evropian”, tha ao.
Këto deklarata nuk e befasojnë aspak, publicisti nga Beogradi, Dushan Janjiq.
Madje, sipas tij Vulin është i angazhuar nga Vuçiq që të krijoj lidhje sa më të forta me Rusinë.
“Fillimisht duhet thënë se Vulin nuk po vepron në atë mënyrë vetëm pse ai ka lidhje të forta me Rusinë. Ai i është ngarkuar nga vet Vuçiq që të lidh ura bashkëpunimi me vendet e BRIKCS-it. Vulin asnjëherë nuk i ka fshehur bindjet e tij dhe nuk ka asgjë këtu për tu befasuar. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka vendosur se në cilën anë është, me Rusinë apo me Perëndimin. Këtë qasje të Serbisë në politikë të jashtme do ta shohim për një kohë të gjatë”, thotë ai.
Ndryshe, Vulin është në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit, për lidhjet e tij me Rusinë dhe përfshirje në korrupsion gjatë kohës sa ka qenë në krye të BIA-s.