Janjiqi: Vuçiqi mund ta porosisë Listën Serbe ta kërkojë postin e kryeministrit
Analisti serb, Dushan Janjiq, ka folur për një skenar që as politikanët serbë në Kosovë nuk e kanë përmendur deri më tash, të paktën publikisht.
Deri më tash, posti më i lartë që kanë mbajtur serbët në Qeverinë e Kosovës është ai i zëvendës kryeministrit, përfshirë edhe në mandatin e fundit.
Por, tash Janjiqi ka folur për një skenar ku serbët do të mbanin edhe postin e të parit të ekzekutivit. Këtë, sipas tij, mund ta bëjë Lista Serbe e përkrahur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Tash situata mund të jetë shumë paradoksale. Të themi se forca e Listës Serbe dhe 10 votat e saj, gjë që do të mundësohet nga Vuçiqi, të jetë aq e fortë sa që të kërkojë postin e kryeministrit. Këtë unë nuk do ta përjashtoja si mundësi, pasi kemi ardhur në një situatë të tillë që korpusi shqiptar është shtypur dhe se prapa kësaj qëndron Albin Kurti. Është vështirë të gjejnë pajtim. Pra, le të presim dhe të shohim atë mrekulli, kryeministrin serb”, ka thënë Janjiqi në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, seksioni në gjuhën serbe.
Po ashtu, sipas tij, nuk pritet të ketë dialog Kosovë-Serbi, deri në vitin 2022.