Januzaj: Kam lindur me talent
Adnan Januzaj ditë më parë u transferua tek skuadra e Las Palmas në Spanjë. Pas kësaj lëvizje, Januzaj ka folur për herë të parë si futbollisti më i ri i Las Palmasit.
“Më pëlqen shumë mënyra se si luajnë me topin. Ngjason shumë me stilin tim të lojës. Mund të jetë një vit shumë i bukur dhe emocionues këtu. Talenti nuk humbet kurrë dhe unë kam lindur me këtë. Unë me të vërtetë dua të jem në gjendje të luaj dhe të kem një vit të mirë këtu”, ka thënë Januzaj.
“Unë jam një lojtar që më pëlqen të luaj në çdo pozicion sulmues, majtas, djathtas dhe si 10-sh. Unë jam një lojtar i gjithanshëm. Ndihem rehat në çdo pozicion ku mund ta ndihmoj ekipin tim”, ka shtuar Januzaj. Adnan Januzaj ka pasur shumë probleme me Sevillan, skuadrën që e ka kartonin e tij të plotë. “Këto janë gjëra që kanë ndodhur, por unë s’dua të flas për to tani. Po, do ta bëj në të ardhmen, kur të jetë koha. Së pari dua të flas në fushë, ku duhet bërë. Në të ardhmen i diskutojmë gjërat e tilla”, ka shtuar Januzaj. Ish-lojtari i Manchester Unitedit dhe Sevillas, Januzaj u transferua te Las Palmas në formë huazimi.