Januzaj, pas ftesës nga Belgjika: Po ushtroj ekstra, besoj në kapacitetin tim
Futbollisti shqiptar Adnan Januzaj u ftua nga Belgjika pas një kohe të gjatë. Ai beson se me ushtrimet ekstra që po i bën, është ngritur në një nivel më lartë.
“Më është dashur të pres shumë kohë, por jam i kënaqur që jam kthyer në kombëtaren belge. Dhe, shpresoj të luaj, sepse nuk ka asgjë që më pëlqen më shumë sesa të luaj futboll”, ka thënë Januzaj.
“Jam njëri prej lojtarëve më të vjetër të ftuar? Nuk ndihem veteran, jam i bindur se vitet më të mira i kam ende përpara meje. Garimi dhe konkurrenca për mua nuk janë problem. Unë e di se çka mund të jap dhe besoj në kapacitetet e mia. Jam më i matur, më i pjekur dhe po ushtroj shumë më shumë se më parë. Madje, po bëj edhe ushtrime ekstra me ndihmën e një trajnerit personal. Këto detaje të vogla e bëjnë një diferencë të madhe”, ka shtuar Januzaj.
Si shumë futbollistëve të tjerë, edhe futbollistit nga Istogu do t’i skadojë kontrata më 30 qershor. Interesim për të kanë shfaqur dy klubet italiane, Napoli e Atalanta. Por, futbollisti i Real Sociedadit nuk e di ende të ardhmen e tij. “Në futboll ndodh gjithçka. Nuk mund të them asgjë për të ardhmen time. Njerëzit thonë gjëra që nuk më interesojnë. Në këtë moment po mendoj për Real Sociedadin, por nuk i dihet kurrë. Raiola (menaxheri) është një tip kërkues, e njoh. Çdo vendim do ta marr së bashku me të dhe me familjen time”, ka përfunduar Januzaj.