Januzi dhe Carioca te Dukagjini, mungon vetëm zyrtarizimi

14 korrik 2021 | 11:19

KF Dukagjini në parim ka arritur marrëveshje me sulmuesin Ahmed Januzi dhe mesfushorin Jean Carioca, kurse kanë mbetur vetëm disa hollësi për zyrtarizimin e marrëveshjes. Drejtori sportiv i Dukagjinit, Fabian Veseli, ka lënë të nënkuptohet se këta dy futbollistë mund ta djersitin fanellën e Dukagjinit.

Skuadra e Dukagjinit nga Klina u tregua skuadër fantastike në edicionin 2020/21 pasi arriti deri në finale të Kupës së Kosovës dhe u inkuadrua në Superligën e Kosovës. Skuadra e vetme që është pjesë e elitës nga Rrafshi i Dukagjinit pritet të jetë një skuadër e fortë në sezonin e ri.

Drejtuesit e klubit fillimisht kishin arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit me shtabin teknik, trajnerin Armend Dallku dhe ndihmësit e tij Artan Luzi dhe Agon Ramadan, kurse tash po punojnë për përforcime.

Carioca e konfirmon largimin e tij nga Feronikeli, ka edhe disa fjalë për Lapidar Lladrovcin | Gazeta Sheshi

Gazeta “Epoka e re” ka mësuar se kjo skuadër ka arritur marrëveshje me sulmuesin Ahmed Januzi dhe mesfushorin Jean Carioca, por drejtori sportiv i kësaj skuadre, Fabian Veseli, ka thënë se janë në bisedime, por ende nuk ka marrëveshje. “Ende nuk kemi arritur marrëveshje, por jemi në bisedime të avancuara. Shumë shpejt do të merret vendimi përfundimtar”, ka thënë Veseli. “Krejt çka mund të them tash për tash është se në kampionatin e ri do të jemi skuadër serioze në Superligë. Në ditët e ardhshme do të sjellim edhe përforcime për ato pozita ku shtabi teknik i sheh të domosdoshme”, ka shtuar ai, raporton “Epoka e re”.

Ish-reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Ahmed Januzi, i cili në edicionin e fundit ishte pjesë e skuadrës së Llapit, pritet të jetë zëvendësues i sulmuesit veteran Labinot Osmani, i cili vendosi të largohet nga Dukagjini dhe të rikthehet në skuadrën e Vushtrrisë në Ligën e Parë. Ndërsa mesfushori brazilian Jean Carioca, i cili për një kohë të gjatë ishte pjesë e Feronikelit, vendosi të mos mbetet pjesë e skuadrës nga Drenasi, pasi kjo e fundit është në krizë dhe shumica e futbollistëve kryesorë janë larguar. Ndeshjen e parë në Superligë në edicionin e ri, Dukagjini e zhvillon në Suharekë ndaj Ballkanit më 21 gusht.

/Veton ZYMBERI/  

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, ka arsyetuar vizitën…