Januzi dhe të tjerët vetëdeklarohen të pafajshëm lidhur me akuzën e re
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë në përputhje me rregullën 90 (3), gjykatësja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka mbajtur të premten seancë për paraqitjen e mëtejshme në procesin gjyqësor kundër Ismet Bahtijarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës.
Në këtë seancë është paraqitur akuza e re kundër Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit, e cila akuzë i është shtuar aktakuzës së përbashkët kundër Ismet Bahtjarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës.
Sipas akuzës së re, Bahtjari dhe Jonuzi, ata ngarkohen se përmes premtimit të një dhuratë ose formë tjetër përfitimi, përkatësisht duke ofruar ndihmë për dëshmitarin një (1), në qoftë se ai do të pajtohet për tërheqjen dëshmisë së tij.
Lidhur me këtë akuzë të re, të pafajshëm janë deklaruar si Januzi, ashtu edhe Bahtijari, të cilët gjatë kësaj seancë janë përfaqësuar nga avokatët, Hju Bouden dhe Felisiti Xherri.
Ndryshe, më 8 korrik, gjykatësja e procedurës paraprake në çështjen Januzi, Bahtijari dhe Haxhi Shala konfirmoi ndryshimet në aktakuzën e përbashkët dhe urdhëroi ZPS-në të dorëzonte versionin e fundit të kësaj aktakuze deri më 10 korrik. Meqenëse pretendimet e reja faktike të akuzës së re kundër Januzit dhe Bahtijari ishin pjesë e aktakuzës fillestare kundër Haxhi Shalës, këtij të fundit nuk iu kërkua të ishte i pranishëm në seancë.
Në fund të kësaj seance, avokati i Sabit Januzit, Hju Bouden, ka thënë se do të dorëzojnë mocion paraprak lidhur me këtë akuzë të re, ndërsa avokatja e Ismet Bahtijarit, Felisiti Xherri, lidhur me dorëzimin e mocionit paraprak ka thënë se nuk kanë vendosur ende dhe po presin të shohin parashtrimet e Sabit Januzit, për të vendosur.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar me 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës. /Betimiperdrejtesi