Januzi fiton për herë të dytë çmimin ‘ylli i javës’
Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Bankën Kombëtare Tregtare, BKT Kosova, vazhdojnë ndarjen e çmimit “ylli i javës”.
Këtë çmim për xhiron e 26-të e ka fituar futbollisti i KF Dukagjini, Ahmed Januzi.
Sulmuesi me përvojë pati paraqitje të shkëlqyeshme në fitoren tejet të rëndësishme të skuadrës së tij kundër Llapit, me rezultat 2-1. Ai shënoi të dy golat për arkëtimin e tri pikëve të mëdha në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Golin e parë e realizoi në minutën e 10-të, derisa të dytin në minutën e 72-të.
Për Ahmed Januzin kjo është hera e dytë që e merr këtë çmim, pasi ishte shpallur më i miri i javës edhe në xhiron e 7-të, në tetor të vitit të kaluar. Pas fitores në Podujevë, KF Dukagjini (Klinë) mbetet në pozitën e 8-të, por arriti në kuotën e 29 pikëve.
Çmimin “ylli i javës” për sulmuesin e skuadrës nga Klina e dorëzoi Elon Ademi, specialist në departamentin e kontabilitetit dhe kontrollit financiar në BKT.