Japin dorëheqje 11 doganierë serbë në Jarinjë dhe Bërnjak
Njëmbëdhjetë doganierë serbë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në pikëkalimet Jarinjë dhe Bërnjak të enjten. Dorëheqjes së doganierëve iu ka pasuar thirrja e Listës Serbe që të largohen nga institucionet e Kosovës, për çka faktorët ndërkombëtarë e kanë kundërshtuar zëshëm.
Kështu ka raportuar mediumi serb në Kosovë “Kosovo Online”, duke thënë se ish-doganierët serbë deklaruan se një veprim i këtillë është akt moral dhe në shenjë solidariteti me popullin e tyre dhe dëshmi e mospajtimit me politikën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Në këtë moment, unë dhe kolegët e mi që punuam në vendkalimin Jarinjë dhe Bërnjak dhamë dorëheqjen për arsye morale. Ne u solidarizuam me njerëzit tanë. Ajo që dua të them është se kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me kolegët tanë shqiptarë, si nga dogana ashtu edhe nga policia. Shpresoj se do të gjendet një zgjidhje”, ka thënë njëri nga ish-doganierët.