Japin dorëheqje edhe zyrtarët serbë të komisioneve zgjedhore në veri të vendit
Zhvillime të njëpasnjëshme ka pasur këto ditë në veri të Kosovës.
Pas shkarkimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq, rreth 600 policë të Kosovës nga nacionaliteti serb kanë paraqitur dorëheqjet e tyre.
Pas kësaj, edhe Lista Serbe ka njoftuar se largohen nga të gjitha institucionet drejtuese të Kosovës.
Njësoj kanë vepruar edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe.
Por pas kësaj, vazhdës së largimeve nga institucionet e Kosovës i janë bashkuar edhe zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore.
Me njoftimin se do të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme për zëvendësimin e kryetarëve të komunave si dhe deputetëve të cilët dhanë dorëheqje, kryetarët e komisioneve zgjedhore komunale në mënyrë të organizuar me qëllim të bojkotit të këtij procesi kanë dhënë dorëheqje mëngjesin e sotëm nga pozitat të cilat mbanin deri tani.
Kjo është konfirmuar për “Kosovo Online”, nga zyrtari i lartë për Mitrovicën e Veriut, Slobodan Dimitrijeviq.
“Ne një veprim të tillë kemi vendosur të marrim me njoftimin e Qeverisë së Kosovës për zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat tona, pa vullnetin e qytetarëve në komunën Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Në një situatë ku na kërkohet të bëjmë zgjedhje në një proces që është i pamundur të realizohet. Ne besojmë se realizimi i një procesi të tillë zgjedhor pa arritur marrëveshje politike dhe pëlqimin e qytetarëve tanë është një mision i pamundur”, ka thënë ai.
Madje, ai ka thënë se një proces i tillë zgjedhor do të ishte në kundërshtim me parimet dhe bindjet e tyre morale, profesionale dhe demokratike.
Ndryshe si shkak i largimit të prokurorëve e gjyqtarëve serbë në veri dje janë anuluar disa seanca gjyqësore.
Kjo parashihet të paraqes problem edhe në komunat në afërsi të Mitrovicës të Veriut.
Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës bën që të ketë reagime të shumta edhe nga zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe të Bashkimit Evropian.
Nga të njëjtit është kërkuar që të mos ketë përshkallëzim të situatës dhe që secila çështje të zgjidhet përmes dialogut në mes dy vendeve.
Pavarësisht kësaj, kryeministri i vendit, Albin Kurti kërkoi nga serbët që të kthehen në institucione, derisa tha se të gjitha këto veprime të tyre janë të orkestruara nga Beogradi zyrtar.
Në kuadër të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje rreth 600 policë të nacionalitetit serb, derisa nuk dihet nëse në një mundësi të dytë atyre do t’u mundësohet që të kthehen sërish në vendin ku edhe kishin punuar më parë.
Nga ShBA-të dhe BE-ja po ashtu është kërkuar formimi i Asociacionit, madje në mënyrë të menjëhershme.
Në kuadër të të gjitha këtyre zhvillimeve, në vend pati së fundi takime të njëpasnjëshme në mes zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe përfaqësuesve të vendeve mike të Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme, Kurti takoi edhe liderët e partive opozitare në vend me të cilët ka diskutuar për këto zhvillime si dhe gjetjen e një zgjidhje sa më adekuate.