Japin dorëheqje kryeministri dhe qeveria palestineze

29 janar 2019 | 16:40

Kryeministri palestinez, Rami Al-Hamdallah, ia ka ofruar dorëheqjen e tij dhe të Qeverisë presidentit të Palestinës, Mahmoud Abbas, për shkak të dështimit të përpjekjeve për përmirësim të marrëdhënieve me udhëheqësit e grupit të Hamasit.

Megjithatë, Qeveria aktuale ka njoftuar se do të vazhdojë t’i kryejë detyrat e veta deri të formohet një qeveri e re. Ky njoftim është dhënë pas takimit të rregullt javor të kabinetit qeveritar. Presidenti Abbas ende nuk e ka komentuar ofrimin e dorëheqjes nga kryeministri, por një grup i tij e kishte kërkuar një gjë të tillë para dy ditëve.

Në anën tjetër, një zyrtar i Hamasit e ka dënuar presionin ndaj Qeverisë aktuale, duke thënë se kjo është një përpjekje për ta margjinalizuar dhe përjashtuar grupin e tyre nga skena politike e Palestinës. Hamdallah e ka drejtuar qeverinë e unitetit që nga viti 2014 dhe i ka udhëhequr përpjekjet për përmirësim të marrëdhënieve me Hamasin.

Dy palët e kishin nënshkruar një marrëveshje para dy vjetëve, e cila ia jep të drejtën autoriteteve palestineze për të qeverisur në Gaza dhe për ta marrë kontrollin e pikave kufitare të kësaj pjese me Egjiptin dhe Izraelin. Megjithatë, mosmarrëveshjet për ndarjen e pushtetit dhe qëndrimin ndaj Izraelit e kanë dëmtuar zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar, shkruan “Reuters”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe nënkryetari, Besnik Bislimi,…