
Japonezi i pafajshëm kaloi 46 vjet në burg, kaq miliona do të marrë si kompensim
Një japonez i cili u dënua gabimisht për vrasje të katërfishtë dhe kaloi 46 vjet në dënim me vdekje do të marrë 1.4 milionë dollarë si kompensim, ka konfirmuar një zyrtar i gjykatës.
Kompensimi arrin në rreth 83 dollarë në ditë për çdo ditë që Iwao Hakamada kaloi në burg.
Hakamada u dënua me vdekje në vitin 1968 për vrasjet në vitin 1966 të shefit të tij, gruas së tij dhe dy fëmijëve të tyre.
Ish-boksieri, tani 89 vjeç, u lirua në vitin 2024 pasi motra e tij, së bashku me të tjerë, bëri fushatë për lirimin e tij për dekada.
Gjykata e Qarkut Shizuoka, në një vendim të lëshuar të hënën, vendosi se ai kishte të drejtën e kompensimit. E njëjta gjykatë vendosi në një rigjykim në shtator se Hakamada nuk ishte fajtor dhe se policia kishte manipuluar provat.
Megjithatë, ekipi i tij ligjor thotë se paratë nuk mund ta kompensojnë dëmin që ka pësuar.
Vitet e kaluara në paraburgim, me kërcënimin e vazhdueshëm të ekzekutimit, kanë dëmtuar rëndë shëndetin mendor të Hakamada-s, thanë avokatët e tij, duke e përshkruar atë si dikë që “jeton në një botë fantazie”.
Hakamada ishte i burgosuri i pestë i dënuar me vdekje që iu dha një rigjykim në historinë e pasluftës të Japonisë. Të katër rastet e mëparshme gjithashtu përfunduan me pafajësi.