Japonia aprovon për herë të parë pilulë për abort

30 prill 2023 | 09:17

Pilula e abortit do të bëhet e disponueshme në Japoni për herë të parë, pasi Ministria e Shëndetësisë atje miratoi një ilaç që përdoret për të ndërprerë shtatzënitë në fazat e hershme.

Aborti është i ligjshëm në Japoni deri në 22 javë, por zakonisht kërkohet pëlqimi nga bashkëshorti ose partneri, dhe deri më tani një procedurë kirurgjikale ka qenë opsioni i vetëm.

Ministria tha në një njoftim për zyrtarët e kujdesit shëndetësor të premten se kishte miratuar një ilaç të prodhuar nga Linepharma.

Kompania farmaceutike britanike paraqiti produktin e saj, një trajtim me dy hapa të mifepristonit dhe misoprostolit, për miratim në Japoni në dhjetor 2021.

Ilaçe të ngjashme janë të disponueshme në shumë vende, duke përfshirë Francën, e cila miratoi për herë të parë pilulën e abortit në vitin 1988, dhe SHBA, ku ajo ka qenë e disponueshme që nga viti 2000.

Miratimi i pilulës për t’i dhënë fund shtatzënive deri në nëntë javë pason një miratim të panelit të ministrisë, i cili u shty për një muaj pasi u bënë mijëra parashtresa publike, shkruan Guardian, përcjell Klankosova.tv.

Kostoja totale e pilulës së abortit dhe një konsultë mjekësore do të kushtojë rreth 700 euro. Abortet në Japoni nuk mbulohen nga sigurimi shëndetësor publik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Peja sot do të përballet me Hapoel Ber Sheeva/Dimona në…