Japonia do të hap ambasadë në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ministren e Shtetit për Punë të Jashtme të Japonisë, Toshiko Abe, me të cilën ka biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë, për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Japonisë.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj e ka falënderuar ministren e Jashtme Toshiko Abe për ndihmën e Japonisë dhënë shtetit të Kosovës.
Në këtë takim po ashtu është biseduar edhe për planet rreth hapjes së ambasadës së re Japoneze në Kosovë në 10-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, bashkëpunimin ekonomik, projektet ricikluese të ambientit, ngritja e kapaciteteve njerëzore si një asistencë për institucionet.
“Kosova është falënderuese ndaj Japonisë për ndihmën e madhe që ia ka dhënë vendit në fusha me rëndësi jetike duke qenë një ndër donatorët kryesor dhe për këtë u jemi mirënjohës”, ka theksuar kryeministri Haradinaj.
Nga ana e saj, ministrja Toshiko Abe ka pohuar se Japonia mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në çdo sferë të saj dhe se është e hapur që partneriteti mes të dyja vendeve të jetë edhe më dinamik në të ardhmen.
/Epoka e re/