Japonia e gatshme të zëvendësojë Rusinë, nëse pushtohet Ukraina, Tokio do të furnizojë Evropën me gaz

09 shkurt 2022 | 17:06

Japonia është vënë në dispozicion të Evropës për ta furnizuar me gaz natyror të lëngshëm, ndërsa frika e pushtimit të Ukrainës nga Rusia rritet.

Ministri japonez i Tregtisë, Koichi Hagiuda ka deklaruar se ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së në Japoni i kanë kërkuar qeverisë që të mundësojë furnizimin e Evropës me gaz, nëse vendet e BE-së ndërpresin bashkëpunimin me Rusinë.

Ministri Hagiuda tha se që këtë muaj disa anije me gaz do të nisen drejt Evropës, e më shumë do të dërgohen në vazhdim.

“Dërgesat e shumta të gazit tashmë po devijohen në Evropë nga firmat private japoneze dhe disa do të mbërrijnë gjatë këtij muaji. Në mars më shumë anije do të mbërrijnë drejt Evropës, por furnizimet do të kushtëzohen nga plotësimi i kërkesës sonë të brendshme.”

Ministri shtoi se dërgesat do nisin pasi Japonia të ketë plotësuar kërkesat e saj për gaz natyror.

Konflikti në Ukrainë mund të shkaktojë një krizë energjetike në Evropë, e cila varet mjaftueshëm nga furnizimet ruse.

Analistët gjykojnë se nuk ka gjasa që Rusia të ndalojë plotësisht furnizimet e Evropës me gaz.

Ata shtojnë gjithashtu se rezervat e Japonisë janë të pamjaftueshme për të furnizuar vendet e BE-së me gaz.

Të martën, kancelari gjerman Olaf Scholz mbështeti një kërcënim të presidentit Biden se gazsjellësi rus Nord Stream 2 nuk do të vijojë punën nëse Rusia pushton Ukrainën.

Gazsjellësi, i cili është vendosur për të dyfishuar furnizimet me gaz natyror nga Rusia në Gjermani, është bërë një mjet kryesor negociues për perëndimin në përpjekjet e tij për të parandaluar një pushtim në Ukrainë, nga Moska.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka folur për…