Japonia e interesuar të financojë projektin “Kosova e Re”
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka priti në takim delegacionin japonez nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC), e udhëhequr nga drejtori i divizionit për financim të projekteve energjetike, Ryuta Suzuki dhe ambasadori kosovar në Japoni, Leon Malazogu, ku diskutuan rreth zhvillimeve në sektorin e energjisë të cilin e mbulon Ministria e Zhvillimit Ekonomik me theks të veçantë projektin e termocentralit “Kosova e Re”.
Lluka potencoi se Qeveria e Kosovës, vazhdon të përballet me probleme energjetike për shkak të vjetërsisë së kapaciteteve aktuale energjetike siç janë Kosova A dhe Kosova B si dhe theksoi rëndësinë që projekti Termocentrali Kosova e Re ka për zhvillimin ekonomik të vendit dhe, mbi të gjitha, për qytetarët e Kosovës.
Ai ka thënë se “Contour Global”, planifikon që të vendosë gurëthemelin e termocentralit të ri gjatë gjysmës së parë të këtij viti dhe ta përfundoj atë deri në vitin 2023, ku me fillimin e operimit të termocentralit “Kosova e Re”, njëkohësisht të mbyllet termocentrali “Kosova A” dhe të përmbyllet rehabilitimi i termocentralit “Kosova B”. Kjo do të ndryshoj tërësisht kualitetin e ajrit në Kosovë dhe do të përmirësoj jetën e qytetarëve.
Ndërkaq Ryuta Suzuki, ka deklaruar se Kosova ka rëndësi strategjike për vendin e tyre dhe se Japonia është e interesuar që të përkrahë financimin e projektit “Kosova e Re”, për shkak se ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Suzuki theksoi se edhe pse prodhimi bazë i termocentralit “Kosova e Re” do të jetë me qymyr, ai do të ndihmojë në realizimin e projekteve të energjisë efiçiente siç është edhe zgjerimi i projektit të kogjenerimit dhe rritjes së kapacitetit të tij me qëllim të përmirësimit të sistemit të ngrohjes qendrore për banorët e Prishtinës dhe disa komunave përreth, por edhe mbrojtjes së ambientit. Delegacioni japonez është informuar edhe rreth aktiviteteve dhe investimeve në energji të ripërtërishme, ku Kosova është zotuar që do të ketë 25% të energjisë nga energjia alternative si dhe rreth projektit të sistemit të ngrohjes me biomasë në komunën e Gjakovës, dhe mundësinë e zhvillimit të projekteve të ngjashme në të gjitha komunat e Kosovës”, është thënë në njoftimin për medie të MZhE-së.