Japonia gjen substanca të huaja në vaksinën “Moderna”
Japonia ka pezulluar një pjesë të vaksinave anti-Covid të Modernës pasi në shishet e vaksinës është gjetur një substancë e huaj. Kjo nuk është hera e parë që shënohen incidente të tilla me vaksinën Moderna pasi ky është i katërti në më pak se një javë duke rrezikuar kështu të ngadalësohet fushata e vaksinimit në vend.
Mediat lokale bëjnë me dije se deri më tani nuk ka asnjë provë për ndonjë problem shëndetësor të shkaktuar nga kjo vaksinë. Mësohet se rreth 3.790 persona kanë marrë të paktën njërën dozë nga grupi i vaksinave që kanë rezultuar problematike. Mbi çështjen në fjalë ka nisur menjëherë një hetim nga autoritet shëndetësore të cilat do të zbardhin të gjitha detajet e ngjarjes.
Të martën, ministri japonez i Shëndetësisë u shpreh se lëndët e huaja të gjetura kanë ndodhur për shkak të gjilpërave të futura gabimisht në shishet e vaksinës. Javën e kaluar, Japonia pezulloi përdorimin e rreth 1,63 milionë dozave të vaksinës Moderna, për shkak të kontaminimit.
Incidente të tilla po ndodhin ndërsa Japonia po përballet me valën e saj më të keqe të infektimeve. Varianti Delta është fajtor për rritjen e infeksioneve ditore me Covid-19. Rastet në rritje në Japoni kanë futur në kolaps sistemit shëndetësor pasi shumë qytetarë po trajtohen në banesat e tyre pasi shtretërit janë të tej mbushur në spitale.
Deri më tani në Japoni është vaksinuar plotësisht 45.4% e popullsisë së saj.