Japonia kyçet si faktor për uljen e tensioneve ShBA-Iran
Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, do të vizitojë Iranin në përpjekje për të zbutur tensionet ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit.
Japonia është një aleat i afërt i ShBA-së, por mban raporte të mira edhe me Iranin.
Sekretari i Qeverisë japoneze, Yoshihide Suga, nuk ka treguar ndonjë datë konkrete apo detaje të vizitës së Abes në Teheran.
Megjithatë, mediet japoneze kanë raportuar se Abe do ta vizitoj Iranin nga 12 deri më 14 qershor ku do të takohet me udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei dhe presidentin Hassan Rohani.
Kjo mund të jetë vizita e parë e një kryeministri japonez në Iran pas më shumë se katër dekadash.
Raportet ndërmjet Teheranit dhe Uashingtonit janë përshkallëzuar ndërkohë që Shtetet e Bashkuara një vit më parë u tërhoqën nga një marrëveshje e rëndësishme bërthamore e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore.
Që atëherë, Uashingtoni ka rivendosur sanksionet, ka rritur retorikën e saj dhe ka forcuar praninë e saj ushtarake në Lindjen e Mesme, duke ngritur frikën për një konflikt të armatosur të mundshëm.
Uashingtoni thotë se Teherani është sponsorizuesi kryesor i terrorizmit në rajon.
Gjatë një vizite në Japoni muajin e kaluar, presidenti i ShBA-së, Donald Trump, duket se miratoi një mision ku kryeministri Abe do të shërbente si një ndërmjetës midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.