Japonia lëshon paralajmërim për cunami pas disa tërmeteve të fuqishme
Japonia ka lëshuar paralajmërim për cunami dhe u ka thënë qytetarëve që të evakuohen nga zonat bregdetare, pasi një sërë tërmetesh të fuqishme goditën bregdetin perëndimor të këtij shteti.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë raportoi për tërmete afër bregut të Ishikavas, pak pas orës 04:00 të mëngjesit të 1 janarit, duke thënë se një prej tërmeteve ishte 7.6 shkallë të Rihterit.
Autoritetet lëshuan paralajmërime për cunami në Ishikava dhe paralajmërime më të vogla për cunami, apo këshilla, për mbarë zonën e bregut në perëndim, përkatësisht në ishullin kryesor Hunshu.
Mediat në Japoni paralajmërua se niveli i ujit mund të arrijë deri në 5 metra dhe u bënë thirrje qytetarëve që të largohen sa më shpejt që të munden.
Tërmete tjera më të vogla kanë goditur po ashtu Japoninë.
Zëdhënësi i Qeverisë japoneze, Yoshimasa Hayashi, u tha gazetarëve se centralet bërthamore në zonën e goditur nga tërmetet nuk kanë raportuar për ndonjë problem. Por, ai tha se është e rëndësishme që qytetarët të largohen nga zonat bregdetare.
Një cunami me valë deri në 3 metra pritet të godasë Nigatan dhe prefektura të tjera në perëndim të Japonisë. Valë më të vogla të cunamit, tashmë janë konfirmuar se kanë arritur në brigjet japoneze.
Në Korenë e Jugut fqinje, autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët në qytetet në pjesën lindore të vendit se mund të goditen nga cunami.
Japonia vazhdimisht goditet nga tërmete të fuqishme. Në mars të vitit 2011, një tërmet dhe një cunami shkaktuan shkrirje në një central bërthamor.