Japonia mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në projekte të ndryshme
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me nënkryetarin, Faruk Mujka, kanë pritur në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Mitsunori Ogasawara, si dhe Arbër Myftari nga zyra ndërlidhëse e Japonisë në Prishtinë.
Kryetari Bahtiri pasi i ka uruar mirëseardhje Ogosawaras, e ka falënderuar për ndihmën e vazhdueshme që Japonia ka dhënë për Kosovën dhe Mitrovicën.
Bahtiri i ka thënë ambasadorit japonez, Ogasawara se ai ka më shumë se 17 vite, që si biznesmen që jeton e punon në Holandë, dhe ka kontakte afariste më kompanitë e ndryshme e të rëndësishme të shtetit të tij.
Ndërkaq i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë, Mitsunori Ogasawara, ka thënë se është i lumtur që vizitën e tij të parë për këtë vit po e realizon pikërisht në Mitrovicë, duke potencuar se qëllimi i këtij takimi është që të njoftohet lidhur me gjendjen e Komunës së Mitrovicës gjatë përballjes me pandeminë Covid-19, si dhe mundësinë që Qeveria e Japonisë të ndihmojë zhvillimin e sektorit të shëndetësisë dhe ekonomisë.
Gjithashtu ai i ka thënë Bahtirit se Japonia mbetet e përkushtuar për ta mbështetur Kosovën, si dhe do të angazhohet në të ardhmen që të siguroj grante dhe investitorë për realizimin e projekteve të ndryshme, me theks të veçantë për qytetin e Mitrovicës.