Japonia nderon Aben, teksa varrimi shtetëror nxit protesta
Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe është nderuar përmes një varrimi shtetëror, që ka shkaktuar ndarje në shtet.
Ushtarët kanë mbajtur urnën me hirin e tij, që e ka sjellë e veja e Abes, teksa gjatë ceremonisë është çmuar lart kontributi i tij gjatë shërbimit të tij si kryeministër për nëntë vjet.
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, ka thënë se ceremonia e varrimit e financuar nga shteti është bërë për të nderuar liderin që ka shërbyer më së gjati në historinë moderne politike të Japonisë, por organizimi i ceremonisë shtetërore ka ndarë publikun, teksa janë organizuar edhe protesta.
Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, Princi i Kurorës së Japonisë, Akishino, dhe udhëheqës të tjerë.
E veja e Abes, Akie Abe, kishte të veshur një kimono të zezë dhe ka hyrë në qendrën ku është mbajtur varrimi, duke mbajtur në duar urnën me hirin e burrit të saj.
Gjatë ceremonisë janë shfaqur edhe fjalime të Shinzo Abes në kohën kur ishte kryeministër dhe vizitat që kishte zhvilluar në pjesën veriore të Japonisë më 2011, kur vendi u përball me cunami.
Gjatë fjalimit 12-minutësh, Kishida ka çmuar kontributin e Abes, duke e cilësuar si politikan me vizion të qartë për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e Japonisë dhe botës. Sipas Kishidas, ai promovoi konceptin e “një Indo-Paqësori të hapur dhe të lirë”, teksa sfidoi ndikimin e Kinës.
“Ju ishit një person që do të duhej të jetonte shumë më gjatë. Kam besim se ju keni kontribuar si busull për të treguar drejtimin që Japonia dhe bota duhet të marrë në 10 apo 20 vjetët e ardhshëm”, ka thënë Kishida duke shikuar fotografinë e Shinzo Abes.
Trupi i Abes është djegur në korrik, disa ditë pasi ai është vrarë teksa po mbante një fjalim gjatë fushatës zgjedhore në Nara, në perëndim të Japonisë.
Gjatë ceremonisë shtetërore të varrimit, në Tokio kishte masa të rrepta sigurie, veçmas afër qendrës Budokan, ku është mbajtur ceremonia.
Në rrugët e Tokios, qindra persona kanë protestuar për të kundërshtuar varrimin shtetëror.
“Shinzo Abe nuk ka bërë asgjë për njerëzit e zakonshëm”, ka thënë Karou Mano, që kishte dalë të protestonte.
Qeveria japoneze ka thënë se ceremonia nuk ka pasur qëllim që ta detyrojë askënd që ta nderojë Aben. Por, financimi i ceremonisë shtetërore të varrimit, kundërthëniet për lidhjet midis partisë në pushtet dhe Kishës së Unifikuar, kanë thelluar ndarjet rreth varrimit shtetëror.
Partitë kryesore opozitare të Japonisë kanë bojkotuar funeralin. Kishida është kritikuar se është shtyrë përpara mbajtjen e ceremonisë shtetërore të varrimit mes akuzave për lidhjet e partisë së tij me Kishën. Vrasësi i Abes, raportohet se i ka thënë policisë se e ka kryer vrasjen për shkak të lidhjeve të ish-kryeministrit me Kishën.
Gjyshi i Abes, ish-kryeministri Nobusuke Kishi, kishte ndihmuar në ngritjen e Kishës në Japoni. Kundërshtarët kanë thënë se mbajtja e varrimit shtetëror për Aben është e barasvlershme me mbështetjen e lidhjeve të partisë në pushtet me Kishën e Unifikuar.
Kjo kishë është akuzuar për praktika të papërshtatshme të rekrutimit dhe të të bërit biznes, por i ka mohuar këto akuza. /REL