Japonia në Mal të Zi
Nga: Daut Dauti
Në vitin 1904, Mali i Zi i ka shpallur luftë Japonisë, shtetit që gjendej nëntë mijë kilometra larg Cetinës, kryeqytetit malazez. E pabesueshme, por e vërtetë! Malazezët i shpallën luftë Japonisë për ta përkrahur vëllazërinë sllave, gjegjësisht Rusinë, që kishte hyrë në luftë me japonezët. Në këtë luftë Japonia e mundi Rusinë në mënyrë spektakolare dhe rusët e nënshkruan kapitullimin dhe lufta përfundoi.
Kjo luftë nuk ka qenë e tillë për shkak se Japonia nuk e gjente dot në hartë Malin e Zi për ta bombarduar (siç thotë barsoleta), por edhe për shkak se nuk ishte punë serioze. Por, kur Mali i Zi e shpalli pavarësinë dhe kur kërkoi të lidhte marrëdhënie më Japoninë, juristët japonezë thanë se ekzistonte një problem: Japonia ishte në luftë me Malin e Zi. Prandaj, më 2008, në Podgoricë u nënshkrua marrëveshja paqësore mes këtyre dy vendeve.
Ekziston edhe një çudi tjetër. Në Mal të Zi ekziston një fshat me emrin Japan (Japonia), që gjendet në komunën e Andrijevicës. Ekzistojnë shumë teori që e shpjegojnë se si i mbeti ky emër këtij fshati malor, por asnjë nuk duket të jetë e saktë. Një variant ka të bëjë me rastin kur krajl Nikolla e kishte dekoruar për trimëri Samilo Fatiqin, bajraktarin e këtij fshati. Bajraktari kishte kërkuar nga krajli që fshatit t’i ndërtohej ujësjellësi pasi që vuante për ujë.
‘Ku gjendet ky fshat?’ – e kishte pyet krali.
‘Është shumë larg, sa këtu e n’Japoni’- ishte përgjigjur bajraktari Fatiq.
Sidoqoftë, fshati Japan ka zgjuar interesim kohëve të fundit. Thuhet se e kanë vizituar disa japonezë, madje edhe gazetarë të këtij vendi.