Jarinja e Bërnjaku mbesin të mbyllura, 4 raste të maltretimit të shqiptarëve atje

01 gusht 2022 | 09:56

Policia e Kosovës ka rikonfirmuar të hënën se pikë kalimet kufitare në Jarinje e Bërnjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të tyre, me mjete të rënda.

Po ashtu, Policia ka njoftuar se vendimi për pajisje me dokumentin hyrje-dalje po vazhdon të zbatohet.

“Vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi. Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre dy pikë kalimeve kufitare, të cilat janë bërë me mjete të rënda nga persona/grupe të organizuara kriminale”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se gjatë ditës së diele është gjuajtur me armë zjarri ndaj policisë së Kosovës, por që nuk raportohet për të lënduar nga këto gjuajtje.

Sipas njoftimit, janë raportuar edhe katër raste të ndalimit dhe maltretimit të qytetarëve shqiptarë në atë pjesë.

“Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës njofton për miratimin e masave të emergjencës…