Jashanica dënohet nga UEFA
Bajram Jashanica është dënuar me dy vite nga Komisioni i Antidopingut në UEFA. “Panorama Sport” zbulon se vendimi është marrë prej kohësh, por në klub nuk kanë dashur ta publikojnë, duke pritur zhvillimet e mëtejshme.
Pas betejave në KAS, qoftë për titullin kampion të sezonit 2015-2016 dhe dënimit prej 10 vitesh të dhënë nga UEFA, apo gjobës 1 milion euro, tashmë një tjetër betejë e hapur për klubin është ajo e mbrojtësit.
Bëhet fjalë për dënimin prej 2 vitesh për përdorim të substancave të ndaluara. Edhe pse lajmi u përhap që më 2 mars për daljen pozitiv të lojtarit në testin antidoping, klubi korçar nuk e sqaroi dënimin. Por tashmë është fakt se lojtari është dënuar me dy vite jashtë çdo lloj kompeticioni.
Burime të sigurta në klub treguan dje për gazetën se është përgatitur apelimi i këtij vendimi, duke u mbështetur në dy pika kryesore. Fillimisht është kërkuar rigjykim, duke u bazuar te testi B i antidopingut dhe më pas hapi i dytë është kërkesa për të riparë dënimin e dhënë për lojtarin.
Përdorimi i medikamentit predisolut ka ardhur në mënyrë emergjente, si pasojë e një alergjia akute që kërcënonte ndjeshëm gjendjen shëndetësore të lojtarit para ndeshjes kundër Jang Bojsit vitin e kaluar.
Pak a shumë kjo kërkesë bazohet edhe te precedenti Nasri, i cili thuajse në një rast të ngjashëm, u dënuar vetëm gjashtë muaj pezullim. Kjo është situata e Jashanicës, që është mbajtur e fshehtë nga klubi, pasi në plan të parë ka kaluar dënimi nga UEFA.