Jashanica rezultoi pozitiv në testin anti-doping, reagon Skënderbeu
Klubi i Skënderbeu ka dalë në një komunikatë për shtyp nëpërmjet faqes zyrtare në “Facebook”, ku ka sqaruar sportdashësit dhe mediet në lidhje me procedimin disiplinor ndaj mbrojtësit Bajram Jashanica, për kundravajtjen e “përdorimit të substancave dopuese”.
Njoftimi i plotë i skuadrës së Skënderbeut:
Përmes kësaj deklarate për shtyp, Klubi i Futbollit Skënderbeu informon sportdashësit dhe mediet në lidhje me procedimin disiplinor ndaj lojtarit tonë, z. Bajram Jashanica për kundravajtjen e “përdorimit të substancave dopuese”.
Me datë 29 shtator 2017, Bajram Jashanica është diagnostikuar me simptoma të alergjisë akute, e cila kishte nevoje për një trajtim të menjëhershëm dhe efektiv. Në përpjesëtim me kushtet klinike të lojtarit, atij i është administruar substanca e Prednisolut, medikament i përdorur gjerësisht në trajtimin e alergjive, prej me shumë se 50 vitesh.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, stafi mjekësor kërkoi lëshimin e një autorizimi të përdorimit të substancës prednisolone nga Komisioni i Anti-Dopingut të UEFA-s e njohur edhe si Autorizimi TUE, pasi kjo substancë ishte administruar në kushtet e urgjencës dhe në mirëbesim të plotë nga ana e lojtarit. Pavarësisht kërkesës se arsyetuar nga ana e Klubit tonë, organi administrativ i UEFA-s refuzoi lëshimin e autorizimit dhe si pasoje, ka çelur procedure disiplinore.
Bëjmë me dije se substanca në fjalë është vetëm e ndaluar si rrjedhojë e metodës së administrimit të saj (injeksion), pasi preparate të ngjashme të administrueshme në rrugë orale (pilula) nuk konsiderohen si forma dopingu dhe veçanërisht, janë të klasifikuara në kategoritë me të ulëta të dopingut, për nga rrezikshmëria dhe efektet e tyre. Klubi i Futbollit Skënderbeu është i bindur në pafajësinë e plotë të Z. Jashanica dhe do të përdore çdo resurs të mundshëm në mbrojtjen e integritetit dhe karrierës se tij.
Faleminderit për mirëkuptimin
Zyra për shtyp!
KF Skënderbeu