Jasharaj: 1 mijë punëtorë do të jenë nesër në protestë, besoj se qeveria ka marrë mësim nga greva e vitit 2022
Rreth 1 mijë mësimdhënës e punëtorë tjerë do të jenë nesër (e mërkurë) në protestën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (ShBAShK) dhe mbështetur nga sindikatat tjera. Kështu ka thënë kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.
Jasharaj është shprehur i bindur se qeveria Kurti ka marrë “shkollë” nga grevat e vitit 2022, për të cilën ka thënë se nuk duhet të ndodh.
Kryesindikalisti i arsimit ka thënë se shpreson që qeveria do t’i plotësojë kërkesat e tyre, në mënyrë që protesta e nesërme të jetë e fundit.
“Numri nuk do të jetë krejt i vogël, ne presim diku 1 mijë (protestues) sepse kemi shumë shoqata sindikale, pra do të jetë zëri i anëtarësisë sonë. Me 1 maj do të dalim me kërkesa konkrete dhe do t’i bëjmë publike dhe urojmë që pas kësaj proteste të mos ketë nevojë më për protesta e greva por Qeveria të ulet dhe të bisedojë me neve, ngase edhe motoja e protestës është që ‘Qeveri realizo kërkesat tona, parandalo veprime tjera sindikale’. Ne do të takohemi me protestuesit në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, pastaj do të vazhdojmë drejtë MAShTI-t për tu kthyer kah katedralja përgjatë sheshit deri te Qeveria dhe do të ketë disa fjalime aty”, ka thënë Jasharaj për “EO”.
Ndonëse nuk e përmend grevën, Jasharaj nuk e ka mohuar se një gjë të tillë. Ai ka deklaruar se për këtë vendosin punëtorët e arsimit, por që uron që një gjë e tillë të mos ndodhë.
“Unë nuk mund të flasë asgjë sepse për këtë vendosin vetë punëtorët e arsimit përmes organeve të SBAShK-ut por uroj që pas 1 majit Qeveria të ulet me ne të bisedojë sepse unë jam i sigurt se kërkesat tona tepër legjitime dhe mund të realizohen nëse ka vullnet nga Qeveria, vullnet ky deri tani i munguar dhe po them, Qeveria Kurti ka një qasje të gabuar edhe ndaj sindikatave edhe ndaj kërkesave të anëtarësisë”, është shprehur Jasharaj, teksa ka përmendur edhe grevën e vitit 2022, për të cilën ka vlerësuar se kishte ndodhur si rezultat i mosrealizimit të kërkesave të tyre.
“Mendoj, uroj dhe unë besoj se edhe qeveria ka marrë ‘shkollë’ siç thotë populli nga viti 2022 kur filluam me protesta të vogla e u kthyem me protesta të mëdha, me një orë grevë dhe erdhi fatkeqësisht deri te greva e madhe e shtatorit 2022, që dorën në zemër e kishte goditur goxha shumë sistemin arsimor në Republikën tonë”, ka thënë Jasharaj.