Jasharaj, Kurtit: Me vizitën në Frankfurt tregove se ke merak të krijosh ndarje dhe përçarje

11 nëntor 2024 | 16:51

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Frankfurt ku pati takim me diasporën atje, tha se e ka me dëshirë që të krijojë përçarje.

Në reagimin e tij, Jasharaj thotë se mërgata mund të jenë më punëtorë se qytetarët në Kosovë pasi kanë kushte më të mira pune dhe paga që ua sigurojnë jetën e dinjitetshme.

“Ke thënë se në diasporë qenkan patriotët më të devotshëm. Ka atje atdhetar e njerëz që kanë dhënë shumë për Kosovën, por në Kosovë kishte dhe ka shumë më tepër atdhetarë”, ka thënë mes tjerash kryetari i SBAShK-ut.

Deklarata e plotë:

Kryeministër shpesh deklaratat tua kanë qenë lojë fjalësh sa për të mos thënë asgjë. Në fillim përkrahësit tu, në autobus e kudo krenoheshin me ato që thoshe, por nuk dinin të sqaronin se për çka e ke pasur fjalën dhe nxjerreshin duke u krekosur se Kryeministri ka lexuar shumë dhe nuk mund ta kuptojnë të gjithë kur ai flet.

Një paraqitje me lojë fjalësh e pa pasur kuptim konkret ishte edhe ai me mërgatën në Frankfurt. Nuk reagova me nguti se mu deshtë të analizojë , të lidh e të ndërlidh fjalët e fjalitë me ato se a është diaspora apo mërgata brenda në Kosovë e ne të tretur në ndonjë vend tjetër?

Sa e di unë mërgata në shumicën e ditëve të vitit është në Evropë apo kudo në botë duke punuar e jetuar dhe vjen në Kosovë një a dy javë, kurse ne punëtorët në sektorin publik e privat dhe të tjerët tërë vitin jemi në brenda në Kosovë, përveç kur shkojmë për një javë në bregdetin shqiptar, apo dikush për disa ditë te mërgata.

Ky është stili yt dhe vazhdo me të, por në këtë fjalimin në Frankfurt tregove se e ke merak të krijosh ndarje përçarje . Mërgata janë farefisi ynë dhe për shumë çka jemi të njëjtë. Ata tani mund të jenë më punëtorë se ne sepse kanë kushte më të mira pune dhe paga që u sigurojnë jetë me dinjitet dhe nuk jetojnë me frikën se çfarë nëse sëmurën dhe çfarë kur të pensionohen.

Por, një gjë tjetër e deklaruar nga ti tregon se e ke me sherr e me qëllim që të krijosh përçarje e deklarime fyerjesh mes nesh dhe mërgatës. Ke thënë se në diasporë qenkan patriotët më të devotshëm. Ka atje atdhetar e njerëz që kanë dhënë shumë për Kosovën, por në Kosovë kishte dhe ka shumë më tepër atdhetarë. Kujto rezistencën paqësore, kujto angazhimin sublim të punëtorëve arsimor për ruajtjen e gjuhës dhe shkollës shqipe në vitet e 90-ta dhe veçmas kujto betejat heroike të Ushtrisë sonë çlirimtare. Fjala patriot a atdhetar lidhet me atdheun. Kryeministër ne ishim dhe jemi në Kosovë e ti më shumë je jashtë. Ti lufto për votat , por mos vazhdo me mbjelljen e përçarjes.

Kryeministër u ndjeva shumë në siklet edhe për një çështje tjetër. Në Tiranë sindikatat nga Ballkani e Evropa flisnin për sindikatat dhe demokracinë dhe e thanë se kur Qeveria ka qasje të gabuar dhe armiqësore ndaj sindikatave godet frymën demokratike sepse nuk ka demokraci pa sindikata. Ti e Murati keni bërë shumë për t’i shuar sindikatat. Kur këto gjëra fliteshin në Konferencën e Tiranës me bëhej sikur të gjithë na shikonin neve të sindikatave nga Kosova dhe sikur donin të na thoshin se gjithë këto vlejnë për shtetin tuaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri…