Jasharaj, Kurtit: Nëse prodhohen 67% analfabetë, atëherë shkollat duhet të mbyllen
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të shtunën se është e papërgjegjshme që të bëhet vetëm thirrje për rritje pagash, në kohën kur shumica e fëmijëve dalin analfabetë funksionalë. Këto deklarata të Kurti i ka komentuar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Jasharaj pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani tha se në qoftë prodhohet 67 për qind analfabetë atëherë shkollat duhet të mbyllen, shkruan Demokracia.com.
“Të bëhet një vlerësim i tillë të cilin nuk e ka bërë askush. Nëse prodhohen 67 për qind analfabetë duhet të mbyllen shkollat. Kjo shifër nuk është e saktë, nuk e di nga e kanë marrë. Por edhe nëse kemi një cilësi të tillë, SBASHK-u nuk është fajtor, sepse as nuk bën plan-programe, as nuk merr kuadro në shkollë”, ka thënë Jasharaj.
SBASHK-u ka nisur grevën më 25 gusht me kërkesën për ndarjen e pagave shtesë nga 100 euro çdo muaj deri në miratimin e ligjit të pagave. Kryeministri Kurti e ka quajtur të paarsyeshme grevën në arsim, duke kërkuar që mësimdhënësit t’i kthehen punës në procesin e rregullt mësimor.